Shqipëria

“Emigrantët”, Britania do t’i japë miliona Shqipërisë për të frenuar largimin


Miliona paundë do të dërgohen në Shqipëri për të ndihmuar në bindjen e emigrantëve që të qëndrojnë në vend, dhe mos të nisen drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta britanike “Telegraph”.

Autoritetet britanike po financojnë skema të mëdha infrastrukturore për të ofruar mijëra vende pune dhe për të përmirësuar objektet lokale në zonat ku po largohen të rinjtë shqiptarë.

Ato përfshijnë një digë të re të madhe hidroelektrike, parqe industriale, skema mjedisore dhe objekte të kohës së lirë në Veri të Shqipërisë.

Sipas “Telegraph”, kjo zonë ka lidhje të forta me Britaninë pas eksodit të parë pas luftës në Kosovë.

Ministrja e re e Brendshme britanike Suella Braverman dhe Robert Jenrick, ministri i Imigracionit, kërkojnë të mbyllin një rrugë të re “të shpejtë”.

Kjo, për të dëbuar mijëra shqiptarë që kanë udhëtuar në Britani në 10 muajt e fundit.

Këtë javë, një zyrtar britanik i Forcave Kufitare të Kanalit, zbuloi se 12 mijë shqiptarë kishin mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit, nga të cilët 10 mijë ishin burra.

Ai u tha deputetëve se deri në dy për qind e popullsisë së rritur meshkuj të Shqipërisë kishte udhëtuar në Britani me varka të vogla.

Ai ia atribuoi “rritjes eksponenciale” bandave kriminale shqiptare që “fituan një terren” në Francën veriore.

Zyrtarët shqiptarë thonë se nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë midis marrëveshjeve për emigrantët dhe ndihmës së huaj.

Por kjo e fundit pranohet si mbështetje jetike financiare për të frenuar eksodin e të rinjve shqiptarë.

Vitin e kaluar Priti Patel, asokohe sekretare e brendshme, nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për kthimin e kriminelëve të huaj të dëbuar.

Në fillim të këtij muaji, “Home Office” testoi një kthim të shpejtë të 12 migrantëve të Kanalit.

Tani po kërkon të zgjasë marrëveshjen me mijëra të tjerë që kanë arritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla.

Gati 9 milionë paundë po përdoren për të zhvilluar rajonin rreth Hasit dhe qytetit të Kukësit, me shpresën për të penguar njerëzit të largohen.

Në një fjalim të fundit, kryeministri Edi Rama u bëri një thirrje të rinjve shqiptarë se në vend që të shpenzojnë mijëra paund për të paguar kontrabandistët, ata duhet t’i investojnë paratë në bizneset e turizmit rural.

Javën e kaluar, Departamenti i Tregtisë Ndërkombëtare organizoi një panair tregtar për të ndihmuar bizneset britanike të fitojnë kontrata për të ndihmuar në ndërtimin e digës së hidrocentralit të Skavicës, pranë Kukësit.

Agjencia e kreditit të eksportit të departamentit pritet të sigurojë dhjetëra miliona paund për të nënshkruar ofertat.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po financon gjithashtu projekte shumë milionë paund për të luftuar bandat e krimit të organizuar që janë fajësuar për nxitjen e rritjes së emigrantëve shqiptarë – disa prej të cilëve përfundojnë duke punuar në fermat e kanabisit në MB, si dhe tregtinë e kokainës.

Muajin e kaluar, Ministria e Brendshme britanike ra dakord të jepte deri në 4 milionë paundë për modernizimin e laboratorit kriminal të Shqipërisë për të rritur aftësinë e tij mjeko-ligjore.

Ministria e Brendshme ka vënë gjithashtu 2 milionë paundë për rindërtimin e stacionit të policisë në aeroportin Nënë Tereza në Tiranë, i cili pranon kriminelë të huaj dhe të dyshuar të dëbuar nga Britania e Madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore