Shqipëria

Emërohen 12 nënkomisarë të rinj në Policinë Shkodër


Në Shkodër, 12 nënkomisarë të rinj që sapo përfunduan studimet Bachelor në Akademinë e Sigurisë, u emëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano, ka udhëtuar drejt Shkodrës, ku zhvilloi një takim me një grup oficerësh të rinj.

Ata, pas përfundimit të studimeve Bachelor në Akademinë e Sigurisë dhe fitimit të gradës Nënkomisar, janë emëruar si specialistë për hetimin e krimit, narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme në DVP Shkodër dhe në komisariatet në varësi.

Nano, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Hamdi Fjora, i ka inkurajuar oficerët e rinj për sfidat që i presin, sfida të cilat kërkojnë angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe ndershmëri.

E gjitha me qëllim që t’i jepet një impuls i ri punës së Policisë në qarkun Shkodër.

Nano ka theksuar se qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë vendit, duan një polici të aftë profesionalisht dhe të ndershme, që t’u shërbejë qytetarëve dhe të luftojë krimin pa kompromis.

“Shërbeni Policisë së Shtetit duke garantuar rend dhe siguri për qytetarët, luftoni krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti dhe do të keni përkrahjen dhe mirënjohjen qytetare që rrallëkush e fiton”, ka thënë ai.

Po ashtu ka dalluar se kanabisi është “një sfidë e madhe sepse prej kësaj veprimtarie fuqizohen grupet kriminale dhe sjell krime dhe pasiguri për jetën dhe shëndetin e qytetarëve”.

Kështu që duhet “luftuar fort”, pa u ndalur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore