Muzikë

Elton John renditet i pari në Britani të Madhe me albumin – “The Lockdown Sessions”


Elton John - Artist

Ikona e popit, këngëtari, Elton John, ka shënuar suksesin e tij të radhës, ndërsa ka arritur që për të tetën herë një album i tij të renditet i pari në Mbretërinë e Bashkuar.

Bëhet fjalë për albumin e tij të fundit, të cilin ai e publikoi surprizë për publikun, e që ishte një punim “i imponuar” nga periudha me Covid-19, prandaj edhe e ka titulluar – “The Lockdown Sessions”.

Kopertina e albumit “The Lockdown Sessions” nga Elton John.

I regjistruar kur turneu i tij i lamtumirës u shty nga pandemia, albumi përmban bashkëpunime me yjet e muzikës, përfshirë, Dua Lipën, Stevie Nicks, Gorillaz dhe Lil Nas X.

Ndërkaq, është thënë se duete të shumta janë zhvilluar përmes platformës “Zoom”, ndërsa të tjerat u zhvilluan në studio, por nën rregulla të rrepta sigurie.

Rreth periudhës së incizimeve, Elton, pati thënë se për herë të parë në jetën e tij, kishte përfunduar duke kënduar me artistë “të ndarë nga ekranet e xhamit”.

Gjithçka e lidhur me pandeminë me Coronavirus, edhe kopertina e albumit “The Lockdown Sessions”, e shfaq yllin e muzikës të veshur me një maskë fytyre komfort rregullave anti Covid.

Mes tjerash, John, i cili aktualisht është 74 vjeç, tha se i pëlqente përvoja e të qenit i detyruar “të dilte nga zona e tij e rehatisë” dhe të punonte me bashkëpunëtorë të papritur.

Elton John”E kuptova se kishte diçka çuditërisht të njohur për të punuar si kjo”, tha ai në një deklaratë duke njoftuar albumin.

“Në fillimin e karrierës sime, në fund të viteve 60-ta, kam punuar si muzikant i sesioneve. Puna me artistë të ndryshëm gjatë izolimit më kujtoi këtë”, ka shtuar ai.

Albumi u parapri nga kënga “Cold Heart”, me Dua Lipën, një përzierje e hiteve të Sir Elton Rocket Man, “Sacrifice”, “Kiss the Bride” dhe kënga e albumit të vitit 1976, “Where’s the Shoorah?”.

Këngët e albumit “The Lockdown Sessions” të Elton John.

Ky ishte hiti numër një, dy javë më parë, duke e bërë Sir Elton artistin e parë që kryeson top-listën e këngëve në Mbretërinë e Bashkuar në gjashtë dekada të veçanta.

Ai gjithashtu e çoi albumin drejt suksesit, duke mposhtur rekordet e reja nga, artistët, Lana Del Rey, Duran Duran dhe Biffy Clyro për të marrë vendin e parë me 31 mijë kopje albumi të shitura.

Ndërkaq, këngëtarja, Lana Del Rey zuri vendin e dytë me “Blue Banisters”, albumi i saj i dytë i vitit.

Albumi “Future Past” i Duran Duran, u rendit i treti, duke e bërë atë albumin më të suksesshëm të grupit që nga “Astronaut” i vitit 2004, ndërsa “The Myth of Happily Ever After” i Biffy Clyro debutoi në vendin e katërt.

Numri një i javës së kaluar, “Music of the Spheres” nga grupi muzikor, Coldplay, këtë javë u rendit në pozitën numër pesë.

Në listën e këngëve më të shitur, Adele ishte ajo e cila mbretëroi suprem për javën e dytë me himnin e saj pas divorcit, “Easy On Me”, i cili arriti të shitej 103 mijë herë.

Kjo është afërsisht gjysma e numrit të javës së saj të parë, kur kënga theu rekordet e transmetimit duke u luajtur 24 milionë herë në vetëm shtatë ditë.

Dua Lipa dhe Elton John.

Elton John dhe Dua Lipa ishin në vendin e dytë me këngën “Cold Heart”, të ndjekur nga Ed Sheeran dhe kënga e tij “Shivers”, pasuar nga “Love Nwantiti (Ah Ah)”, e artistit nigerian Ckay, e cila u pozicionua në vendin e katërt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore