Lajme

El Salvador: Gruaja dënohet me 30 vjet burg pas abortit


Grupi Qytetar për Dekriminalizimin e Abortit

Një gjykatë në El Salvador ka dënuar një grua, e cila pësoi një urgjencë obstetrike – probleme shëndetësore që janë kërcënuese për jetën e grave shtatzëna dhe foshnjave të tyre – dhe u detyrua t’i jepte fund shtatzënisë.

Sipas një organizate joqeveritare, ajo u dënua me 30 vjet burg për kryerjen e krimit “vrasje e rëndë”, shkruan “CBS News”, përcjell Albanian Post.

Gruaja, e identifikuar vetëm si “Esme”, u dënua të hënën pas gati dy vitesh në paraburgim, pas arrestimit të saj kur kërkoi kujdes mjekësor në një spital publik.

“Dënimi i Esme-s është një hap prapa për përparimin që është bërë në kriminalizimin e paligjshëm të grave që vuajnë nga urgjencat obstetrike në El Salvador”, tha Paula Avila-Guillen, avokate ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Barazinë e Grave.

Ndërsa, Morena Herrera, presidentja e Grupit të Qytetarëve për Dekriminalizimin e Abortit, e përshkroi dënimin si një goditje të rëndë dhe bëri thirrje që abortet të trajtohen si çështje e shëndetit publik dhe jo si një çështje penale.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë, në mënyrë që të gjitha gratë e kriminalizuara padrejtësisht nga këto rrethana të rifitojnë lirinë e tyre dhe të kenë mundësinë të rindërtojnë jetën e tyre”, tha ajo.

“Gjyqtari veproi me anësi, duke i dhënë më shumë peshë versionit të ofruar nga Prokuroria e Përgjithshme, i cili ishte i ngarkuar me stigma dhe stereotipa gjinore”, tha grupi.

Morena Herrera, e Grupit të Qytetarëve për Depenalizimin e Abortit, në të majtë, dhe Sara Garcia, e së njëjtës organizatë, në të djathtë, qëndrojnë në skajet e katër grave, duke mbajtur një shall me imazhin e Manuelës.

Dënimi nuk mund të konfirmohej menjëherë, sepse gjykatat ishin të mbyllura.

El Salvador ruan një ndalim total të abortit dhe një numër grash janë arrestuar dhe dënuar me burg, pasi kanë vuajtur aborte spontane të dukshme që u raportuan tek autoritetet.

Në dy dekadat e fundit, rreth 180 gra janë ndjekur penalisht.

Që nga viti 2009, qeveria ka liruar 64 prej tyre. Vetëm nga dhjetori i vitit të kaluar, tetë grave, që vuanin dënime të gjata me burg, u janë zbutur këto dënime.

Aktivistët thonë se, të paktën 17 gra salvadorane janë dënuar e burgosur padrejtësisht pas urgjencave obstetrike dhe që kanë qenë në qendër të një fushate kundër ligjit absolut të El Salvadorit kundër abortit.

Vitin e kaluar, Gjykata Ndër-Amerikane e të Drejtave të Njeriut vendosi se qeveria e El Salvador-it kishte shkelur të drejtat e një gruaje të identifikuar si Manuela, e cila u arrestua në vitin 2008 me akuzën e provokimit të një aborti dhe vdiq në vitin 2010, ndërsa ishte në paraburgim, duke lënë prapa dy fëmijë.

“Ndonjëherë aborti nuk është zgjidhje vullnetare”, tha djali më i madh i Manuelës, Thomas, për “CBS News” në vitin 2019. “Nëna ime ishte e sëmurë”.

“Këto gra të gjora kanë nevojë për ndihmë”, tha nëna e Manuelës. “Unë nuk dua që ata të vuajnë si vajza ime. Janë të rinjtë, gratë që duhet të luftojnë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore