Lajme

Ekskluzive: Vizita të rëndësishme nga Amerika në Kosovë – vjen Derek Chollet dhe numri 2 i Këshillit të Sigurisë Kombëtar të SHBA-ve


Në fund të kësaj jave pritet që Kosova të ketë një nga vizitat më të rëndësishme kohëve të fundit.

Albanian Post ka kuptuar nga burime diplomatike se me 30 dhe 31 korrik Kosovën do ta vizitojë Derek Chollet, ish-këshilltar special në Departamentin e Shtetit Amerikan, tani Nënsekretar i Departamentit të Mbrojtjes.

Chollet vizitën nuk do ta bëjë i vetëm. Informacionet e AP-së janë se në Prishtinë bashkë me të do të jetë dhe një nga udhëheqësit më të lartë (numri dy) të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC).

NSC është forumi kryesor i Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, për sigurinë kombëtare dhe vendimmarrjen e politikës së jashtme me këshilltarët e tij të lartë të sigurisë kombëtare dhe zyrtarët e kabinetit.

Ky institucion është krahu kryesor i Biden për koordinimin e këtyre politikave nëpër agjencitë federale.

Si institucioni më i rëndësishëm i sigurisë në SHBA, NSC kryesohet nga vetë presidenti Biden.

Të pranishmit e rregullt janë Zëvendës-Presidenti, Sekretari i Shtetit, Sekretari i Thesarit, Sekretari i Mbrojtjes, Sekretari i Energjisë, Prokurori i Përgjithshëm, Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara. Administratori i Agjencisë së SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar, Shefi i Shtabit të Presidentit dhe Ndihmësi i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare.

Kurse sa i përket Chollet, ai bashkë me Gabriel Escobar që, pos të tjerash, është i dërguar i posaçëm i SHBA-ve për dialogun, është një nga personat kryesor të SHBA-ve në dialogun e Kosovës me Serbinë dhe avokues i zbatimit të Marrëveshjes së arritur në Bruksel për Normalizim të raporteve e mbështetur edhe nga aneksi i Ohrit.

Albanian Post ka kërkuar nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë konfirmimin e këtyre vizitave, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pasur ende një përgjigje.

Burime të njëjta të AP-së thonë se vizita të rëndësishme në Kosovë do të ketë edhe gjatë muajit gusht.

Gjatë kësaj kohe pritet të vijë në Kosovë edhe senatori amerikan, Chris Murphy.

Murphy ka vizituar Kosovën edhe një herë tjetër bashkë dhe me senatorë të tjerë, vizitë gjatë së cilës kishte lëvduar fillimisht qeverinë për punën në zhvillimin e vendit, por më pas kritikuar ashpër pas ndërhyrjes së pakoordinuar në Veri, kur Qeveria vendosi t’i dërgojë kryetarët e Komunave me policë në objektet komunale.

Këto vizita të rëndësishme vijnë në kuadër të një lëvizjeje të fuqishme diplomatike amerikane si një qasje e re në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, e elaboruar edhe në një intervistë të ish-ministrit të Punëve të Jashtëm të Kosovës Petrit Selimi, për Albanian Post.

Aktualisht në SHBA-të kanë një brengë të vazhdueshme se si degradoi procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kanë një shqetësim të qartë dhe një adresim të fajit për kryeministrin Kurti.

Siç e thekson edhe Selimi në intervistë, ka dëshpërim me Kosovën të cilën e konsideronin partnere dhe ka një mungesë besimi që Serbia do të përmirësohet në sjellje të veta.

“Lëndimet e ushtarëve të NATO-s ishte një alarm, sepse fare lehtë ndonjë ushtar amerikan mund të vritej, dhe një incident i tillë dramatik do ta ndryshonte krejtësisht qasjen dhe pozitën e administratës Biden. Mendoj se edhe zgjedhjet presidenciale amerikane janë në vëmendje të shumë njerëzve dhe nëse dëshirojnë të krijojnë një fitore në Ballkan, kjo është periudha e fundit që mund ta bëjnë këtë gjë”, ka sqaruar Selimi në intervistë për AP këtë urgjencë të re të SHBA-ve dhe fluturimet diplomatike që priten.

“Potencialisht do të ketë edhe vizita tjera të nivelit të lartë në vjeshtë, nëse gjërat lëvizin në drejtim të pamohueshëm pozitiv. Ka edhe ndryshim konkret të personelit”.

Qasja e re në Ballkan, do të nënkuptojë edhe diplomatë e politikanë të tjerë në administratën e Biden.

Një nga këto ndryshime është edhe James O’Brien, i cili pas konfirmimit në Senat, vjen në nivel të zëvendësit të Sekretarit Antony Blinken, pra pozitë jashtëzakonisht e rëndësishme.

O’Brian aktualisht ka pozitën e koordinatorit të sanksioneve, dhe ishte personi kyç që sanksionoi ministrin serb Aleksandër Vulin.

Zëvendëse e O’Brian pritet të jetë ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, një pozitë tjetër e fuqishme që po mbushet nga një diplomate e fuqishme që rishtazi shërbeu në Tiranë.

Këto lëvizje të personelit në Uashington dhe iniciativa e re për të ndihmuar procesin, shpresohet ta nxjerrin situatën nga ngërçi në të cilin ka mbetur tash e sa kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore