Lajme

Edukimi, punësimi, banimi- problemet e komunitetit egjiptian në Kosovë


Ilustrim

“Komuniteti egjiptian është një popull shumë paqësor dhe tolerant ndaj çdo padrejtësie që është bërë gjatë gjithë historisë së vetë, prandaj vazhdon të ketë abuzime me të drejtat e tyre, të ketë bullizëm dhe mos trajtim të duhur dhe të barabartë. Shpresojmë që Kosova ta kuptoj një herë e përgjithmonë që ne jemi pjesë e këtij shteti andaj, mos e anashkalo popullin egjiptianë dhe komunitetet tjera”, thotë Fatos Mamusha për Albanian Post nga komuniteti egjiptian në Kosovë.

Mamusha thotë se vendi ynë po ballafaqohet me mosrespektim të ligjeve të veta, të cilat me vite i ka sakrifikuar.

“Për dallim nga komunitetet e tjera, komuniteti egjiptian ballafaqohet edhe një herë më shumë se komunitetet e tjera me mos barazi para ligjit, probleme sociale, dhe respektimin e të drejtave elementare”.

Java egjiptiane është festival i cili ishte organizuar në Kosovë për vite radhazi, para ditës nacionale të egjiptianëve e cila shënohet çdo 24 qershor.

Lendrit Qeli, autor i këtij festivali tha se qëllim kryesor i këtij festivali ka qenë promovimi i kulturës egjiptiane në Kosovë.

“Dy tri vitet e fundit kam hequr dorë nga organizimi i këtij festivali, pasi një aktivitet i tillë ka filluar të politizohet dhe të merr ngjyrë politike nga ish përfaqësuesit politik egjiptian, me aktivitetet që nuk e justifikon programin”, thotë Qeli.

Qeli thotë se problemi kryesorë që po ballafaqohet komuniteti “janë varfëria e skajshme, mungesa e punësimit sidomos të gjeneratave të reja të shkolluara. Mungesa e respektimit të ligjit për shërbimin civil ka ndikuar të mos respektohet përqindja e komunitetit egjiptian në sektorin civil dhe janë vetëm 15 të punësuar në tërë Kosovën, pastaj problemet e tjera në banim, shëndetësi etj.”.

Kurse sipas Avnora Morinës, komuniteti egjiptian është i përfaqësuar më mirë në vitin 2021.

“24 qershori i vitit 2021 e gjen komunitetin egjiptian të përfaqësuar më mirë në të gjitha këto vite të sferës politike të Kosovës, pasi që kemi ministër nga radhët e këtij komunitetit, Elbert Krasniqi-n dhe deputet Fridon Lala” thotë Morina.

Për Albanian Post, Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi thotë se komuniteti egjiptian ballafaqohet me sfida të përditshme, e madje edhe me ato më bazike për jetë.

“Natyrisht ka një diskriminim të heshtur sa i përket pozitës së komuniteteve në shoqëri, ndonëse janë ndërmarrë hapa dhe masa drejt gjithëpërfshirjes dhe ofrimit të kushteve të barabarta në mënyrë që të mundësohet drejtësi për të gjithë dhe kushte më të mira të jetesës”.

Krasniqi po ashtu ka deklaruar se është duke u punuar për përmirësimin e situatës së komuniteteve rome, ashkali dhe atij egjiptian.

“Në kuadër të reformës legjislative në MAPL, këtë vit është dhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe ku pjesë e rëndësishme do të jenë edhe propozimet për përmirësimin e përfaqësimit të komuniteteve në nivel Lokal”, është shprehur ai.

“Edukimi, punësimi, banimi, mbeten problemet kryesore dhe adresimi i tyre përmes politikave zhvillimore të Qeverisë mbetet angazhim i yni i përbashkët”, ka thënë Krasniqi.

Që nga viti 2008, Qeveria e Kosovës ka një strategji për integrimin e komuniteteve si atij rom, ashkali dhe egjiptian edhe me anë të një Plan Veprimi për zbatimin e kësaj strategjie, ku përfshihet edhe identifikimi i zonave me rëndësi të veçantë për integrimin e këtyre komuniteteve.

Megjithatë, komuniteti egjiptian kërkoi që të mos përfshihej në strategjinë për vitin 2017-2021, pasi nga ky komunitet vlerësuan se nuk duhet që të identifikohen së bashku me dy komunitetet e tjera (rom dhe ashkali).

Ata kërkuan nga institucionet e Kosovës që të krijojnë një strategji të veçantë për integrimin në shoqërinë kosovare të këtij komuniteti. Por, kjo kërkesë, deri më tani nuk është realizuar.

Dallimi mes romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në Kosovë është se, ashkalitë dhe egjiptianët pretendojnë se kanë një origjinë tjetër nga romët.

Ndryshe nga romët, të cilët kanë gjuhën e tyre dhe pjesëtarët e këtij komuniteti i përkasin feve të ndryshme, ashkalitë dhe egjiptianët në Kosovë flasin shqip dhe i përkasin besimit Islam.

Ashkalitë e kanë origjinën nga Irani dhe kanë arritur në Ballkan në shekullin e 4-të. Ndërkaq, egjiptianët pretendojnë se pasardhësit e tyre kanë ardhur në Ballkan nga Egjipti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore