Sport

E ngjiti klubin në Premier Leauge, Burnley i zgjat kontratën Kompany-s


Vincent Kompany ka bërë një punë të shkëlqyer në pozitën e trajnerit te klubi anglez, Burnley.

Trajneri belg e ngjiti klubin në Premier Leauge disa javë pa përfunduar Championship—(kategoria e dytë e futbollit në Angli).

Andaj, drejtuesit e klubit ia kanë zgjatur kontratën atij edhe për pesë vitet e ardhshme.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi, të cilët përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare, lajmëruan që Kompany do të jetë në krye të klubit deri në vitin 2028.

“Jemi të entuziazmuar Vincent ka nënshkruar një marrëveshje të re. Ai është i përshtatshëm për mënyrën se si ne të gjithë e shohim Klubin e Futbollit Burnley duke ecur përpara”, shkruan klubi i Burnley-t.

“Një lider i jashtëzakonshëm, duke vendosur standarde gjithnjë e më të larta dhe duke e çuar klubin tonë në nivelet që të gjithë duam të arrijmë”, thuhet në shkrimin e klubit.

Pra, nga edicioni i ardhshëm, Burnley do të luajë në elitën e futbollit anglez, derisa këtë e arriti gjashtë xhiro para përfundimit të kampionatit.

Kompany është trajner i Burnley-t që nga 14 qershori i vitit të kaluar, derisa e ka drejtuar klubin në 53 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave ka marrë 33 fitore, 15 barazime dhe vetëm pesë humbje.

Kjo është përvoja e dytë e ish-futbollistit të Manchester City-t në rolin e trajnerit. Ajo e para ishte në krye të klubit belg, Anderlecht-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore