Lajme

“E duam Qeverinë në tavolinën e bisedimeve”


Protesta e BSPK në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme me qëllim të shqyrtimit të situatës aktuale sociale.

Nga BSPK, është kërkuar që Qeveria të pranoj të filloj një dialog.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës informon qytetarët e Republikës së Kosovës se për shkak të ngecjes së madhe të dialogut social që edhe pas shumë e shumë shkresave dhe kërkesave që ju drejtuan Partnerit Social – Qeverisë kohëve të fundit nuk pati rezultate drejt përmirësimit të gjendjes së të punësuarve dhe nisjes së dialogut të mirëfilltë social”.

Ndërkaq kanë paralajmëruar për veprime sindikale pasi sipas tyre “nuk ka mbetur rrugë tjetër”.

Mos nisja e dialogut social nga Qeveria, BSPK-së i ka ngushtuar rrugën e bashkëpunimit dhe të komunikimit duke i lënë anash përfaqësuesit e të punësuarve.

“Kryesia Ekzekutive e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshëm vendosi që të gjitha Federatat dhe Shoqatat sindikale anëtare të BSPK-së nga sot t’i hynë përgatitjeve të veprimeve sindikale me qëllim të mbrojtjes së të drejtave që qojnë drejt përmirësimit të gjendjes ekonomike e sociale të të punësuarve”.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është në pritje dhe në veprim të vazhdueshëm sindikal dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta që të punësuarit të kenë atë që u takon nga puna që bëjnë në shoqërinë tonë duke pasur një jetë të mirëqenë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e BSPK-së.

Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nuk ka lejuar zhvillimin e procesit mësimor të premten e 20 majit, si pasojë e protestës.

“Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit”.

“Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut për protestën.

Protestuesit janë duke u mbledhur për të marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ku do të zhvillohen edhe fjalime nga krerët sindikalë.

Edhe, Këshilli i Prindërve i Kosovës, përmes një reagimi të premten e 20 majit ka vlerësuar se fëmijët e tyre janë pala e vetme e dëmtuar nga grevat dhe protestat e mësimdhënësve, të cilët po kërkojnë miratimin e ligjit për paga.

Sipas tyre, prindërit dhe nxënësit janë duke paguar faturat e mosveprimeve dhe inateve mes Qeverisë dhe mësimdhënësve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore