Kosova

Dy vdekje për 24 orë në Kosovë


Ilustrim

Një person është gjetur pa shenja jete në Llapushnik të Drenasit të dielën në mbrëmje.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, ndërsa trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit i cili e ka cilësuar rastin është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Përveç kësaj vdekje edhe një person tjetër është gjetur i vdekur në ujë.

Rasti ka ndodhur në Livoç të Epërm të Gjilanit, të shtunën.

“Pas informatës se te penda e fshatit gjendet një trup i zhytur në ujë, në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore si dhe njësia e zjarrfikësve të cilët e kanë bërë tërheqjen e trupit të pa jetë”.

Sipas këtij njoftimi, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërsa, më tej thuhet se në Leposaviq të shtunën është arrestuar një person, pasi dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij.

“Viktima pas ndihmës mjekësore në QKMF-Leposaviq është dërguar në spitalin rajonal për tretman mjekësor”, njoftuan nga PK-ja.

Sipas tyre, pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, një person në Zupqe të Zubin Potok-ut, dyshohet se ka goditur një këmbësore me veturë, të dielën.

“I dyshuari mashkull kosovar duke drejtuar automjetin e tipit Mazda, dyshohet se nga pakujdesia ka goditur këmbësoren viktimë femër kosovare të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore”, kanë shtuar ata.

Në raport njoftohet se viktima është dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës për tretman mjekësor.

Me urdhër të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore