Lajme

Dy dronë ukrainas janë rrëzuar mbi rajonin e Moskës, sipas Rusisë


Ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë me dije se ka penguar një sulm me dron ukrainas pasi rrëzoi dy drone mbi rajonin e Moskës.

Dy drone të tjerë u kapën mbi rajonin Bryansk, sipas ministrisë, në veri-lindje të kufirit me Ukrainën.

Sakaq, fluturimet u ndaluan përkohësisht drejt dhe nga aeroportet e Moskës.

Hapësira ajrore mbi Moskë është mbyllur disa herë ditët e fundit pasi raportet për sulme me dron bëhen më të rregullta.

Po ashtu Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se një aeroplan luftarak rus kishte shkatërruar një anije zbulimi ukrainase në Detin e Zi që kishte lundruar pranë objekteve të prodhimit të gazit rus.

Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin ka thënë se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar dy drone në perëndim të kryeqytetit në rrethet Krasnogorsk dhe Shastsy.

Edhe pse Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për sulme specifike me dron, presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë më parë se sulmet në territorin rus janë një “proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë”.

Të shtunën, një bombardues rus me rreze të gjatë u shkatërrua në një sulm ukrainas me dron, sipas raporteve.

Imazhet e postuara në mediat sociale dhe të analizuara nga BBC tregojnë një Tupolev Tu-22 në zjarr në bazën ajrore Soltsy-2, në jug të Shën Petersburgut.

Moska ka thënë se një dron u godit nga zjarri me armë të vogla, por arriti të “dëmtojë” një avion.

Bombarduesi rus Tu-22 që u shkatërrua mund të udhëtojë me dyfishin e shpejtësisë së zërit dhe është përdorur gjerësisht nga Rusia për të sulmuar qytetet në Ukrainë.

Ministria ka deklaruar se një sulm nga një “UAV i tipit kopter” ndodhi rreth orës 10:00 me orën e Moskës të shtunën.

Dhe vendndodhjen e ka përcaktuar si “një aeroport ushtarak në rajonin e Novgorod”, ku ndodhet Soltsy-2.

“UAV u zbulua nga posta e vëzhgimit të aeroportit dhe u godit me zjarr me armë të vogla”, ka thënë ministria.

“Një aeroplan u dëmtua, nuk pati viktima si rezultat i aktit terrorist”.

Po ashtu ka thënë se një zjarr që shpërtheu në parkingun e aeroportit u shua shpejt.

Megjithatë, imazhet e postuara në Telegram treguan një zjarr të madh që përfshiu një avion me konin dallues të hundës së Tu-22.

Gjatë muajve të fundit dhjetëra avionë pa pilot me krahë fiks kanë sulmuar kryeqytetin e Rusisë.

Moska ka fajësuar Kievin për sulmet. Ukraina rrallë merr përgjegjësinë për incidentet ose sulmet që ndodhin brenda territorit rus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore