Sport

Dusan Vlahovic, Atletico-s i shtohen tre rivalë


Sulmuesi serb, Dusan Vlahovic, po shkëlqen me Fiorentina-n në Serie A dhe vera e 2022 pritet ta gjejë larg “Artemio Franchi”-t.

Sezonin e kaluar, Vlahovic ishte protagonist absolut me klubin viola. Në 37 ndeshje që u aktivizua në Serie A, arriti të shënonte 21 gola. Në sezonin që sapo ka nisur, ai ka shënuar tre gola, në po kaq ndeshje.

Ecuria e mirë e serbit, ka bërë që interesi për shërbimet e tij të rritet. Atletico Madrid-i është skuadra më e interesuar, pavarësisht numrit të lartë të sulmuesve që ka ekip. Në “Wanda Metropolitano”, ai shihet si zëvendësuesi ideal i Luis Suarez-it.

Megjithatë, spanjollët nuk janë të vetmit në garë për 21-vjeçarin. Tre rivalë të tjerë do të ketë Diego Simeone sipas “Calciomercato”: Juventus-in, Borussia Dortmund-in dhe Tottenham-in.

Të katër skuadrat e mësipërme e kanë konfirmuar interesimin për Vlahovic-in dhe janë gati të propozojnë ofertat e tyre në verën e ardhshme.

Fiorentina kërkon 70 milionë euro për ta lënë të lirë sulmuesin. Ai ka edhe dy vite kontratë në Firence.

Në verën e 2022 pritet të kushtojë më pak, pasi do të hyjë në vitin e fundit të kontratës. Kjo gjithmonë nëse ai nuk rinovon në “Artemio Franchi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore