Shqipëria

Dumani me kërkesa të qarta para KLP-së: Nga shtimi i prokurorëve te rikandidimi i tyre


“Duhen shtuar hetuesit e Byrosë Kombëtare të hetimit (BKH), duke pasur parasysh se mbi 75 për qind e hetimeve aktuale kryhen nga BKH”.

Kështu ka kërkuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Altin Dumani – kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK – gjatë analizës vjetore për vitin 2023.

“Kemi një ndryshim trendi, nëse deri në vitin 2022 numrin më të madh të hetimeve SPAK e ndiqte me Policinë e Shtetit, tani hetimet i kryejmë me BKH”, ka vijuar ai.

Dumani ka shtuar gjithashtu se ka rritje të ngarkesës, “sidomos kur vjen puna për bashkëpunimin me autoritetet e huaja që kanë një fluks shumë të madh informacioni, letërporosi”.

Ndërkohë, sipas tij, një tjetër shqetësim mbetet mungesa e stafit dhe ngarkesa për të ndjekur seanca.

“Drejtuesi i SPAK duhet të ndjekë 150 seanca gjyqësore në harkun kohor janar 2025 – qershor 2026, një numër që mund të rritet.  Parashikojmë rritje të volumit të punës në një kohë që burimet njerëzore vijojnë të mbeten të njëjta”, ka veçuar ai.

Kreu i SPAK ka kërkuar po ashtu ndryshim të kompetencës lëndore lidhur me korrupsionin.

“Kur flasim për kufirin monetar prej 50 mijë lekësh, ky kufi duhet të jetë shumë më i lartë. Duhet riparë kufiri monetar. Nuk është e thënë që këtë kategori tahetojë vetëm SPAK për një kufi të ulët monetar. Mund të jetë dhe 500 mijë, 100 mijë lekë të reja, le ta vendosë ligjvënësi, por ky kufi monetar, kalimi i të cilit na bën ne kompetentë, nuk më duket i arsyeshëm”.

Mund të rishikohen edhe vepra të tjera penale sipas tij, por kjo është më emergjente.

Dumani gjithashtu ka kërkuar ndryshimin e ligjit për prokurorët e SPAK me qëllim që ata të kenë mundësi për rikandidim pas mbarimit të mandatit.

“Statusi aktualisht parashikon që prokurorët e SPAK pas përfundimit të mandatit 9 vjeçar të kthehen në prokurorinë ku kanë ushtruar më parë funksionin. Për shkak të ndryshimit të hartës, një pjesë e këtyre prokurorive nuk ekzistojnë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, është investuar shumë për ngritjen e tyre profesionale – jo vetëm nga shteti, por dhe ndërkombëtarët.

“Janë aset. Nuk kemi luksin t’i çojmë në një vend tjetër. Nuk kemi aq burime njerëzore, e të kualifikuar dhe me integritet sa të plotësojmë boshllëqet e krijuara. Rivlerësim dhe dhënie mundësie për të kandiduar”.

Gjatë bilancit, ai ka thënë mes të tjerash se vlera e pasurive të konfiskuara e sekuestruara arrin një vlerë në total prej 41 milionë euro për vitin 2023.

Prej tyre, 54 për qind të sekuestruara dhe pjesa tjetër të konfiskuara.

Gjatë vitit të shkuar, Dumani ka bërë me dije se janë regjistruar 221 procedime penale për korrupsion.

Sipas tij, 67 procedime janë nisur kryesisht nga SPAK, 139 për qind më shumë se viti paraardhës.

Ai po ashtu ka treguar se janë regjistruar tetë procedime penale me 18 të pandehur për zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë ish-ministra, ish-kryeministra, ish-kryebashkiakë, apo ish-sekretarë të përgjithshëm.

Nga ana tjetër, kreu i SPAK ka ravijëzuar se ka një rritje me 95 për qind të kërkesave për ndihmë juridike nga vendet e huaja.

“Gjatë vitit 2023, janë ngritur 10 skuadra të reja të përbashkëta, ndërsa hetimet vijojnë me 25 skuadra të përbashkëta hetimore. Ka një rritje me 95 për qind të kërkesave për ndihmë juridike me jashtë shtetit, kryesisht me Italinë, Franca, vendet nordike si dhe me vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut apo Kosova”, ka shtuar ai.

Në krahasim me vitin 2022, rezulton se është rritur numri i procedimeve penale të reja me 16 për qind.

Në vitin 2023 janë regjistruar  201 procedime penale për korrupsionin , 85 procedime për krimin e organizuar dhe 13 procedime për terrorizmin.

Sa i përket përgjimeve, rezulton se janë përdorur në 109 procedime për vepra penale të korrupsionit dhe 77 procedime për krimin e organizuar.

“Në total ka një rritje prej 91 % të interceptimit të pajisjeve fundore”, ka treguar Dumani.

Sakaq, ai ka ngritur shqetësimin se institucionet shtetërore nuk po bashkëpunojnë me SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar Policinë e Shtetit, ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara”, ka dalluar ai.

Referimi nga këto institucione – sipas tij – ka një tendencë të fortë rënie, që shkon deri në 40 për qind krahasuar me vitin 2022.

Në KLP kanë qenë të pranishëm edhe dy zëvendësdrejtuesit e tij – Adnand Xholi dhe Klodian Braho – si dhe drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore