Shqipëria

Dumani bën bilancin e SPAK mes hetimeve për zyrtarë të lartë dhe sekuestrimeve


Altin Dumani – kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK – gjatë analizës vjetore për vitin 2023 në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ka thënë se vlera e pasurive të konfiskuara e sekuestruara arrin një vlerë në total prej 41 milionë euro.

Prej tyre, 54 për qind të sekuestruara dhe pjesa tjetër të konfiskuara.

Gjatë vitit të shkuar, Dumani ka bërë me dije se janë regjistruar 221 procedime penale për korrupsion.

Sipas tij, 67 procedime janë nisur kryesisht nga SPAK, 139 për qind më shumë se viti paraardhës.

Ai po ashtu ka treguar se janë regjistruar tetë procedime penale me 18 të pandehur për zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë ish-ministra, ish-kryeministra, ish-kryebashkiakë, apo ish-sekretarë të përgjithshëm.

Nga ana tjetër, kreu i SPAK ka ravijëzuar se ka një rritje me 95 për qind të kërkesave për ndihmë juridike nga vendet e huaja.

“Gjatë vitit 2023, janë ngritur 10 skuadra të reja të përbashkëta, ndërsa hetimet vijojnë me 25 skuadra të përbashkëta hetimore. Ka një rritje me 95 për qind të kërkesave për ndihmë juridike me jashtë shtetit, kryesisht me Italinë, Franca, vendet nordike si dhe me vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut apo Kosova”, ka shtuar ai.

Në krahasim me vitin 2022, rezulton se është rritur numri i procedimeve penale të reja me 16 për qind.

Në vitin 2023 janë regjistruar  201 procedime penale për korrupsionin , 85 procedime për krimin e organizuar dhe 13 procedime për terrorizmin.

Sa i përket përgjimeve, rezulton se janë përdorur në 109 procedime për vepra penale të korrupsionit dhe 77 procedime për krimin e organizuar.

“Në total ka një rritje prej 91 % të interceptimit të pajisjeve fundore”, ka treguar Dumani.

Sakaq, ai ka ngritur shqetësimin se institucionet shtetërore nuk po bashkëpunojnë me SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar Policinë e Shtetit, ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara”, ka dalluar ai.

Referimi nga këto institucione – sipas tij – ka një tendencë të fortë rënie, që shkon deri në 40 për qind krahasuar me vitin 2022.

Në KLP kanë qenë të pranishëm edhe dy zëvendësdrejtuesit e tij – Adnand Xholi dhe Klodian Braho – si dhe drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore