Lajme

“Dukagjini” përgenjështron Nagavcin: Ofertuam librat 4% më lirë se në vitin 2022


Shtëpia botuese “Dukagjini” ka reaguar publikisht pas konferencës për media të Ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arberie Nagavci, e cila njoftoi sistemin e ri të shpërndarjes së librave, ku prindërit duhet të bëjnë blerjen paraprake të teksteve shkollore, dhe më pas të rimbursohen nga ky dikaster.

Sipas Nagavcit vendimi i ri erdhi për shkak që kompanitë botuese të librave “nuk kanë pranuar të negociojnë mbi çmimet shitëse, të cilat janë të përballueshme për bugjetin e shtetit”.

Por, një version tjetër e ka dhënë shtëpia botuese “Dukagjini”, e cila përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se në procesin e ofertimit ndaj MASHT-it, i kishin prezantuar librat e tyre me çmim 4% më lirë sesa në vitin 2022.

“Kemi ofertuar më lirë se vitin e kaluar.Shtëpia botuese ‘Dukagjini’ është duke përcjellë me vëmendje diskutimin që është duke u bërë në raport me librat për filloristët”, thuhet në postim.

“Shtëpia jonë botuese, për hir të transparencës, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se në ofertimin që kemi bërë në Ministri, pavarësisht inflacionit dhe rritjes globale të çmimeve, ne kemi ofertuar me çmim më të lirë për rreth 4% krahasuar me vitin 2022”, thuhet tutje.

Kjo kompani botuese është zotuar ta bëjë maksimumin, që t’i përmbushë obligimet në përputhje me legjislacionin në fuqi, pasi që, për ta mbetet prioritet “pajisja e fëmijëve me libra”.

MASHT ka vendosur që nga ky vit të ndryshojë mënyrën e pagesës për librat e fëmijëve në shkollat fillore, duke e paqartësuar fillimisht krejtësisht se si do të bëhet shpërndarja e librave dhe duke e shkatërruar një model shumë funksional që ishte deri më tani.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin e nga Ministria, e cila, siç ka treguar vetë Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavic, nuk e ka vendosur akoma as modelin e aplikimit, por as levat me të cilat sigurohet se prindërit paratë e marrë nga ministria do t’i shpenzojnë në librat e fëmijëve.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

“Pas shumë përpjekjeve shtëpitë botuese nuk e kanë pasur mirëkuptimin dhe kanë thënë se çmimet e tyre janë të panegociueshme”, tha Nagavci, duke mos treguar se shtëpitë botuese prapë me ato çmime do t’i shesin librat e tyre edhe nëse ato blihen në ndonjë formë tjetër e jo direkt nga ministria.

Populizëm edhe me fëmijë: MASHT-i tash e tutje ua kalon paratë për tekste shkollore manualisht prindërve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore