Lajme

“Duhen vendime të vështira” – Macron e Scholz i shkruajnë letër Kurtit


Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pas letrës për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, një të tillë ia kanë dërguar edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të cilit i kanë treguar se e ardhmja kërkon “vendime të vështira”.

“Po ua adresojmë këtë letër në një kohë vendimtare për sigurinë në kontinentin Evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të bindur që në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës na duhet të bëjmë përpjekje edhe më të fuqishme që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet e kamotshme bilaterale dhe rajonale”, thuhet në letër.

“Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale. Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik, thuhet në letrën e dyshes së liderëve evropianë.

“Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij. Propozimi ynë është, që Këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt. Shpresojmë shumë që kjo iniciativë do të ketë interesin dhe përkrahjen tuaj”.

Më 27 gusht, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i cili bëri të ditur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve hyrëse-dalëse, thotë se është lumturuar që është gjetur një një zgjidhje evropianë që lehtëson udhëtimin mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell përmes një video në Twitter falënderoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për udhëheqjen në dialog.

“Jam i lumtur të njoftojë, se pas takimit në Bruksel dhe pas angazhimeve në Prishtinë e Beograd ditët e fundit, kemi arritur marrëveshje të lëvizjes së lirë mes presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Serbët e Kosovës e gjithë qytetarët do të jenë të gjendje të lëvizin lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur ID-të. BE-ja ka marrë garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Jam shumë i lumtur, që kemi gjetur zgjidhje evropiane, që ndihmon udhëtimin mes Kosovës e Serbisë”, tha Borrell.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën në “BBC World Service”, ka theksuar se një nga faktorët që çoi në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve, është se më 1 gusht, Kosova ua lëshoi serbëve mbi dymijë dokumente me mbishkrimin “Republika e Kosovës”.

Sipas tij, lëshimi i dokumenteve për 19 orë, u krye pa incidente e ankesa.

Ai ka potencuar se reciprociteti që pritet të nisë nga shtatori për çështjen e targave ndaj qytetarëve serbë, nuk do të bëhet kundër serbëve.

“Po ne kemi pas bisedime ne Bruksel që nuk kanë qenë të lehta por rezultatet janë të kënaqshme sepse tani kemi reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët e të dyja vendeve”.

“E falënderoj Borrellin, Lajçak dhe Escobar për punën e zellshme në Prishtinë dhe Beograd, në të njëjtën kohë i falënderoj qytetarët e Kosovës për mbështetjen”, tha Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore