Shqipëria

Dronët Bayraktar mbërrijnë në Shqipëri


Dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri.

Kështu ka bërë me dije ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook ai shkruan se prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre.

Sipas tij, ky zhvillim jo vetëm që rrit aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërben edhe si dëshmi e angazhimit të vendit për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes.

“Kjo arritje, simbol i dedikimit tonë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat tona të Armatosura”, thotë Peleshi.

Çfarë janë dronët Bayraktar?

Të lehtë, ekonomikë dhe të manovrueshëm nga distanca.

Emrin, mbajeni mend mirë… Ata quhen Bayraktar!

Lufta në Vietnam, protagonist pati Kallashnikovin, të njohur shkurtimisht si AK-47.

Lufta në Afganistan pati Stinger-in, predhën e famshme kundërajrore, të cilën mund ta përdorte çdokush.

Lufta në Ukrainë, protagonist deri tani, ka pikërisht dronët ushtarakë turq Bayraktar.

Ato, Ukraina i ka blerë nga Ankraja, pikërisht për t’u mbrojtur nga agresioni i Vladimir Putinit, i cili e mori vendimin radikal më 24 shkurt.

Nëse edhe vetëm gjysma e vrasjeve që Kievi pretendon se i ka shkaktuar Ushtrisë ruse (rreth 12 mijë), e gjithë merita – ose të paktën pjesa kryesore e tyre – është e Bayraktar-ëve.

Falë strukturës së tyre, ato mund të kalojnë çdo linjë mbrojtjeje të rusëve dhe të godasin pikërisht aty ku dëshirohet dhe ku më shumë u dhemb kundërshtarëve.

Synimi kryesor deri tani, duket se kanë qenë kamionët e logjistikës, transportuesit, cisternat e ndryshme, apo edhe rrugët e komunikimit.

Ai, teknologjikisht nuk është shumë i avancuar, por efektshmëria që ka e bën të shkëlqeje.

I njohur ndryshe si BT2, Bayraktari është një dron bombardues.

Operatori, i cili e drejton, është në distancë dhe jeta nuk i cenohet. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ai rri tërësisht jashtë luftës.

Në terma konkretë, me aq sa është vërtetuar nga luftëra apo aksione të mëparshme me Bayraktar-ët, në Etiopi ka një rast kur me një predhë të vetme të dalë nga ai, u vranë 53 persona.

Droni është “i shkathët”, i vogël, ekonomik, mbi të gjitha, letal!

Frenimin e avancimit të Ushtrisë ruse në territorin ukrainas, duhet t’ia dinë atij për falë.

Ai është aq praktik, sa mund të ngrihet në fluturim edhe nga një rrugë e thjeshtë. Kamerat e tij mundësojnë fushëpamje të gjerë.

Një aspekt tjetër interesant, është fakti se ato, i prodhon kompania e dhëndrit të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Debutimin në fushëbetejë e ka pasur në luftën kundër Isis-it në Siri. Më pas, ndaj forcave të Bashaar al-Assad.

Betejat e radhës të Bayraktar-ëve u zhvilluan në Libi. Më tej, në konfliktin në Nagorno-Karabakh, ku i dha fitoren Azerbajxhanit kundrejt Armenisë.

Në Etiopi, shpëtoi Qeverinë nga rrëzimi kundër rebelëve në Tigray.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore