Lajme

Dramaturgu serb fajëson Merkelin “për gjendjen e rëndë të serbëve në Kosovë”: Kancelaria më e keqe pas Luftës së Dytë Botërore


Dramaturgu dhe profesori i Fakultetit të Arteve Dramatike në Serbi, Nenad Prokiç, thotë se serbët në Kosovë “janë në gjendje të rëndë”, derisa sipas tij fajtore për këtë është ish-kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel.

“Serbët nga Kosova janë në gjendje të rëndë. Tani po jetojmë politikën pas Merkelit, kancelaria më e keqe e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Evropa ka dështuar për të disatën herë”, tha ai për mediumin malazez Pobjeda.

“Si pjesë e kësaj politike, Beogradi e shfrytëzoi rastin për të rrëmbyer jetën e serbëve të Kosovës, duke mbjellë një lloj frike mes tyre dhe në fakt është vetë Beogradi ai që i kërcënon më së shumti ata”, potencoi dramaturgu serb.

Ai ka folur edhe për iniciativën e “Ballkanit të Hapur” të cilën kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tashmë e ka shpallur të mbyllur.

Për Prokiç-in, “Ballkani i Hapur” nuk solli asnjë shpresë, meqë ai mendon se përfituan vetëm ata “që merren me kontrabandë të drogës”.

“Këto janë paradokset e progresit”, shtoi ai.

Prokiç është pyetur edhe efektin e protestave në Serbi të organizuara nga partitë opozitare, derisa ky i fundit ka theksuar se “mendoj se njerëzit që e organizojnë nuk kanë asnjë mendim dhe guxim politik të freskët” dhe as dëshirë për të ndryshuar diçka të rëndësishme.

“Dhe prandaj janë më keq se kjo lloj qeverie. Ata bërtasin të njëjtat slogane populiste, si ‘Kosova është zemra e Serbisë’, ata janë rusofile jo më pak se qeveria, ata mendojnë se Dodik është i madh, se Mali i Zi është pjesë e Serbisë dhe se ukrainasit janë nazist”, ka potencuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore