Lajme

“Draghi ra në kurth”: ultimatumi i liderit destabilizon Italinë


Pas dorëheqjes së dytë dhe përfundimtare të kryeministrit italian Mario Draghi, faqja e parë e gazetës “Il Tempo” mbante titullin “Vetëvrasja e Draghi-t”.

Kurse titulli rival te “La Stampa” e përshkruan atë si viktimë të vrasjes politike, duke deklaruar se qeveria e tij ishte “e mbytur”.

Se kush është përgjegjës për rënien e ish-shefit të respektuar të Bankës Qendrore Evropiane është bërë subjekt i debatit të ashpër mes politikanëve të Italisë teksa ata kërkojnë të shmangin një valë zemërimi të publikut për rënien e koalicionit qeverisës.

Javën e kaluar, sondazhet e opinionit publik treguan se një shumicë dërrmuese e italianëve dëshironin që Draghi të qëndronte në detyrë për të drejtuar Italinë përmes sfidave të saj ekonomike dhe gjeopolitike.

“Mënyra sesi ndodhi rënia e qeverisë ishte mjaft surreale edhe për standardet italiane”, ka thënë Lorenzo Pregliasco, themeluesi i YouTrend, një agjenci sondazhesh dhe analizash politike me bazë në Torino.

Sipas tij, “askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë për këtë”.

Por analistët politikë thonë se një kombinim i llogaritjeve të gabuara nga Lëvizja Pesë Yjet, korrektësia dhe natyra pa kompromis e vetë kryeministrit, si dhe politika reale nga Liga e djathtë e Matteo Salvini-t, rezultoi fatale për administratën e Draghi-t.

Dorëheqja e tij erdhi pasi partnerët kryesorë të koalicionit Pesë Yjet, Liga dhe Forza Italia e Silvio Berlusconi-t vendosën të bojkotojnë votimin e besimit të për udhëheqjen e tij.

Vetë Draghi e kishte thirrur votimin pasi i akuzoi ata se po përpiqeshin të përmbysnin agjendën e politikave të qeverisë.

Ai duket se “ra në kurth”, sipas Daniele Albertazzi, një profesor i politikës në Universitetin e Surrey në Mbretërinë e Bashkuar.

Kurse Roberto D’Alimonte, një profesor i shkencave politike në universitetin Luiss të Romës, mendon se blloku i djathtë i Italisë beson se “do të fitojë zgjedhjet e ardhshme… u është ofruar një mundësi e artë”.

Në fillim të vitit 2021, Draghi-t iu kërkua të drejtonte një qeveri të unitetit kombëtar dhe të drejtonte Italinë përmes krizës së COVID-19.

Koalicioni i tij ndërpartiak vazhdoi një lëvizje të lëkundur vaksinimi, mbikëqyri një rikthim të fuqishëm ekonomik nga tkurrja e PBB-së në vitin 2020 prej 9 për qind dhe fitoi miratimin e Brukselit për një agjendë reformash ekonomike për të zhbllokuar 200 miliardë euro në fondet e rimëkëmbjes së BE-së për COVID-in.

Por analistët thonë se ai ishte i irrituar nga vështirësia e negociatave të koalicionit mbi reformat, të cilat përfshinin përditësimin e regjistrave të pronave për të përmirësuar mbledhjen e taksave, nxjerrjen në ankand të koncesioneve fitimprurëse të plazheve dhe një ligj të ri konkurrence.

Qëndrimi i tij i ashpër kundër pushtimit rus të Ukrainës gjithashtu i trazoi partitë, duke përfshirë Pesë Yjet dhe Ligën, të cilat kanë lidhje historike me Moskën dhe me presidentin rus Vladimir Putin.

Tensioni u duk javën e kaluar kur Pesë Yjet bojkotuan një votim për një paketë ndihme prej 26 miliardë eurosh për të mbrojtur italianët nga inflacioni për shkak të kundërshtimit të tij ndaj përfshirjes së një inceneratori të diskutueshëm të mbetjeve për Romën.

Sipas analistëve, lideri i Pesë Yjeve, Giuseppe Conte, po ziente pas një ndarjeje partiake në qershor dhe ishte i etur të ishte më i vendosur për të mbështetur bazën e saj në rënie.

Çka Conte nuk e kishte pritur ishte që Draghi do të ndihej i detyruar të ofronte menjëherë dorëheqjen edhe pse ligji kishte kaluar me një shumicë të rehatshme, pavarësisht bojkotit të Pesë Yjeve.

Mbështetësit e Draghi-t thanë se ai kishte pak zgjedhje pas lëvizjes nga një partner kaq i rëndësishëm koalicioni.

Ishte po ashtu i zemëruar që Lidhja kishte mbështetur një grevë përçarëse të taksistëve të thirrur në shenjë proteste ndaj projektligjit të konkurrencës.

D’Alimonte mendon se oferta e parë e dorëheqjes së Draghi-t ishte një gabim dhe nuk kërkohej nga kushtetuta.

Megjithëse presidenti Sergio Mattarella e refuzoi dorëheqjen e kryeministrit, udhëzimi i tij drejtuar Draghi-t për t’u kthyer në parlament për të vlerësuar mbështetjen e tij krijoi raundin vendimtar të krizës.

Fjalimi i tij në parlament mori një ton të ashpër, duke kritikuar anëtarët e koalicionit dhe duke thënë se ishte i gatshëm të qëndronte vetëm nëse ata mbështesnin agjendën e tij të reformës.

Për partitë e krahut të djathtë të Italisë, joshja e zgjedhjeve të parakohshme rezultoi shumë tërheqëse.

Por analistët thonë se partitë mund të paguajnë ende një çmim për fundosjen e një prej liderëve më të njohur dhe më të respektuar në historinë e pasluftës të Italisë.

Pas gjithë dramës, titulli i zymtë i faqes së parë të “La Repubblica” mund të ketë përmbledhur gjendjen kombëtare: “Italia e tradhtoi”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore