Shqipëria

Paketa e amendamenteve të PD-së – nga vetingu i politikanëve prej SPAK-ut, deri te ndryshimi i hartës territoriale


Veting politikanëve, reforma zgjedhore dhe ajo territoriale. Kanë qenë këto propozimet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, për ndryshime në Kushtetutë.

Mëngjesin e së martës së 19 tetorit janë zbardhur amendamentet e plota, të miratuara një ditë më parë në mbledhjen e PD-së.

Një pikë tjetër e shtuar në Kushtetutë, sipas amendamentit, është ajo për pastërtinë e figurës nga ana e krimit.

“Funksionarët publikë plotësojnë dhe i dorëzojnë SPAK-ut një deklaratë të detajuar për figurën e tyre që mbulon një periudhë 10 vjet përpara deri më datën e deklarimit, sipas ligjit”.

Sipas amendamentit, pranë SPAK ngrihet Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në radhët e funksionarëve të lartë shtetërore, që përbëhet nga gjashtë prokurorë të SPAK, të zgjedhur me short çdo 3 vjet.

Në amendamentin për Reformën Territoriale, për ndryshimet kushtetuese, PD-ja propozon që të rikthehen Komunat dhe kërkon që të ketë një ndarje, midis zonave urbane dhe rurale.

Me këtë ndarje, Bashkitë do të administrojnë zonat urbane, ndërsa komunat të përfshijnë territoret kryesisht rurale.

“Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Komunat përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisëse, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore”.

Nisur nga akuzat e tyre në zgjedhjet e 25 prillit, për mungesën e koalicioneve zgjedhore, PD propozon rikthimin e tyre në Kushtetutë.

“Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”.

NDRYSHIMET E KUSHTETUTËS SIPAS PD-së

NENI 1

Fjalia e parë, e pikës 3 të nenit 45, ndryshohet si më poshtë vijon:

Ishte

  1. Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Bëhet

“3. Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.

NENI 2

Neni 64, ndryshohet si më poshtë:

Ishte

  1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar.
  2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.
  3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.

Bëhet

  1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.
  2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.
  3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, votën preferenciale për kandidatët, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

NENI 3

Pika 1, e nenit 68, ndryshohet si më poshtë:

Ishte

  1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

Bëhet

“1. Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”.

 NENI 4

Pika 1 dhe 3 e nenit 108 ndryshohet si vijon:

Ishte

  1. Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat ose bashkitë dhe qarqet. Njësi të tjera të qeverisjes vendore rregullohen me ligj.

Bëhet

“1. Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat, bashkitë dhe qarqet. Njësi të tjera të qeverisjes vendore rregullohen me ligj”.

Ishte

  1. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisese, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore.

Bëhet

“3. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Komunat përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisese, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore”.

NENI 5

Pas nenit 176 të Kushtetutës, shtohet “Pjesa e Gjashtëmbëdhjetë/1”, me këtë përmbajtje:

“PJESA E GJASHTËMBËDHJETË/1 MEKANIZIMI I GARANTIMIT TË INTEGRITETIT TË FIGURËS SË FUNKSIONARIT PUBLIK

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore