Lajme

Dodik voton në Konsullatën e Përgjithshme të Serbisë në Banja Llukë


Anëtari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka votuar në Konsullatën e Përgjithshme të Serbisë në Banja Luka për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që po mbahen në Serbi, raporton N1.

“Dua të uroj të gjithë qytetarët e Serbisë për këtë ditë. Këtu kam votuar si qytetar i Serbisë, kam shfrytëzuar të drejtën time me bindjen se Serbia do të vazhdojë të forcohet me kapacitetin e saj demokratik, të vazhdojë përmes stabilizimit, paqes, stabilizimit të marrëdhënieve të përgjithshme rajonale, forcimit ekonomik, pra forcimit të standardeve dhe infrastrukturës”, tha Dodik.

Ai shtoi se Serbia e fortë është një interes themelor demokratik, ekonomik, social dhe politik i atyre që jetojnë në Republikën Srpska.

Sipas tij, sot votojnë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve në mbarë Republikën Srpska.

“Unë do të doja që të gjithë qytetarët e Republikës Srpska një ditë të marrin shtetësinë automatike të Serbisë dhe që të gjithë këtu të mund të votojnë në këtë ditë kur mbahen zgjedhjet në Serbi. Kjo do të jetë pjesë e përpjekjeve të mia në të ardhmen”, shtoi ai.

Në Serbi këtë të diele të tre prillit po mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, derisa sipas mediave serbe të gjitha vendvotimet janë hapur në ora 7:00.

Ndërkaq të drejtë vote kanë 6.502.307 votues, njoftoi Komisioni Republikan i Zgjedhjeve.

Për president garojnë tetë kandidatë, ndërsa për zgjedhjet parlamentare janë regjistruar 19 lista.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore