Lajme

Dodik me rastin e 30 vjetorit të Republika Srpska: Bosnja dhe Hercegovina pa perspektivë


Milorad Dodik dhe Ana Bërnabiç

Republika Srpska është duke i bërë përgatitjet e fundit për të shënuar 30 vjetorin e themelimit, mirëpo kjo datë është shpallur anti-kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH)

Zyrtarët më të lartë të Serbisë, përveç presidentit Aleksandër Vuçiç, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Banja Llukë për festimin e ditës antikushtetuese të Republikës Srpska më 8 dhe 9 janar.

Delegacioni serb pritet të udhëhiqet nga kryeministrja Ana Brnabiç. Krahas saj ardhjen e kanë bërë të ditur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, ministri i Financave, Sinisha Mali, ministrja e Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Darija Kisiç Tepavçeviç, ministrja e të Drejtave të Njeriut, Gordana Comic, ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Marija Obradoviç dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Jadranka Joksimoviç.

Përveç thuajse tërë kabinetit qeveritar të Serbisë, në këto festime do të shkoj edhe Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç dhe tre udhëheqësit më të lartë të Ushtrisë Serbe.

Milorad Dodik dhe Ana Bërnabiç

Ndërsa pjesëmarrjen në këtë organizim e kishte konfirmuar edhe ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç, por e ka anuluar pasi ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Programet e festës së 8 janarit përfshijnë vendosjen e kurorave, ndarjen e dekoratave për “institucione dhe individë” meritorë dhe akademinë ceremoniale në sallën Borik.

Më 9 janar është planifikuar Liturgjia e Shenjtë e Hierarkisë, e cila do të shërbehet nga Patriarku Porfir.

Delegacionin e shtetit serb do ta pres anëtari i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH), Milorad Dodik, të cilit iu vendosën sanksione të reja nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), pasi që kishte bërë përpjekje në vazhdimësi për ta përmbysur rendin kushtetues të BeH.

Ndërsa për Radios Evropa e Lirë (REL), Ambasada e ShBA-ve në Sarajevë të enjten e gjashtë janarit i ka thënë se “festimi i Ditës së Republika Srpska më 9 janar është jokushtetues” dhe se “vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH) janë përfundimtare dhe detyruese”.

Ambasada e ShBA-ve në Sarajevë

Nga ana tjetër Dodik ka thënë se e ardhmja e Republika Srpska në kuadër të BeH-së është e pa perspektivë.

Më 9 janar të vitit 1992, serbët lokal në territorin e tanishëm të Republika Srpska-s kishin shpallur këtë territor të pavarur.

Radovan Karaxhiç

Dodik për Radio Beogradin ka thënë se përparimi që ka arritur Republika Srpska është rezultat i luftës për të drejta dhe dinjitet, kryesisht përmes rezistencës ndaj ndërhyrjes ndërkombëtare, e cila ka qenë gjithmonë e fortë dhe është ende e fortë.

Tutje ai ka thënë se në të ardhmen e sheh Republika Srpska-n kryesisht përmes forcimit të autonomisë së saj dhe afirmimit të të drejtave të saj.

“Nëse kjo nuk ndodh, besoj se brezat që do të vijnë do të afirmojnë të drejtën tonë për vetëvendosje dhe se në atë mënyrë do të jemi në gjendje të vendosim për të ardhmen tonë politike”, është shprehur Dodik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore