Lajme

Dodik e mohon, por Michel thotë se është arritur marrëveshje politike mes BE-së dhe BeH-së


Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik

Pas një takimi tetë orësh mes liderëve politik të Bosnje-Hercegovinës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Bruksel të dielën, është arritur pajtim politik rreth një plani kredibil për të implementuar reformat në BeH për progresin drejt të ardhmes evropiane, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Përkundër këtij deklarimi të Michel, anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës dhe lideri nacionalist i entitetit serb të BeH-së, Milorad Dodik, tha se “nuk kemi nënshkruar asgjë” në Bruksel.

Kabineti i Charles Michel tha se përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Parlamentin e BeH-së kishin miratuar një marrëveshje që përsërit angazhimin e tyre për “ruajtjen dhe ndërtimin e një shteti evropian paqësor, të qëndrueshëm, sovran dhe funksional të pavarur të Bosnjës dhe Hercegovinës, të përbërë nga boshnjakët, kroatët dhe serbët si popuj përbërës dhe qytetarët e Bosnje-Hercegovinës, e cila përbëhet nga dy entitete dhe Distrikti i Bërçko-s”.

Teksti, i cili u mbështet nga shumica e udhëheqësve të partive politike të përfaqësuara në Parlamentin e BeH-së, shton përkushtimin ndaj parimeve të shtetit të së drejtës, zhvillimit të zgjedhjeve demokratike, zhvillimit të institucioneve demokratike dhe të ardhmes evropiane të BeH, njoftoi “Danas”.

Në të njëjtën kohë, krerët e partive politike dhe anëtarët e presidencës së BeH u zotuan të ndërmarrin reforma konstruktive me qëllim “të mbrojnë dhe përmirësojnë përshtatshmërinë, funksionimin dhe sigurinë e BeH-së”.

Në deklaratën e Këshillit Evropian thuhet se liderët e partive politike dhe anëtarët e Presidencës së BeH kanë shprehur përkushtimin e tyre të plotë për respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe vendore.

Sipas tyre, ata gjithashtu u zotuan se do të punojnë për mbarëvajtjen efikase të zgjedhjeve të përgjithshme në vend, të planifikuara për vitin 2022 dhe për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive pas zgjedhjeve për formimin e shpejtë të organeve të reja legjislative dhe ekzekutive në të gjitha nivelet, në përputhje me ligjin dhe afatet kohore.

“Do të punojë me vendosmëri për të përmbushur 14 prioritetet kryesore të përcaktuara në Opinionin e Komisionit për aplikimin e vendit për anëtarësim në BE, në mënyrë që të bëjë përparim në rrugën drejt BE-së dhe t’i përgjigjet aspiratave të njerëzve”, thuhet në marrëveshje.

Marrëveshja përmend gjithashtu vazhdimin e harmonizimit të BeH me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, angazhimin për të ndërmarrë hapa konkretë në promovimin e një mjedisi të favorshëm për pajtim në mënyrë që të kapërcehet trashëgimia e luftës, dhe mirëpret mbështetjen aktive të BE-së në lehtësimin e dialogut, ndërtimin e besimit dhe konkludimin e këtyre hapave.

Këshilli Evropian thekson se marrëveshja është nënshkruar nga 12 pjesëmarrës në takim nga BeH, duke përfshirë të tre anëtarët e Presidencës së BeH.

Duke vënë në dukje se lideri i HDZ-së së BiH-së, Dragan Çoviç nuk erdhi në takimin në Bruksel, si dhe se “Republika Srpska u ftua për të diskutuar dhe miratuar vendimin në Presidencën e BeH-së për situatën në Ukrainë”, ata vënë në dukje se marrëveshja është një dokument juridikisht i detyrueshëm por që synon të inkurajojë BeH-në që të dalë nga bllokada politike dhe të ecë përpara në rrugën e integrimit evropian.

Anëtari serb i Presidencës së BeH-së dhe presidenti i SNSD-së, Milorad Dodik, ka njoftuar mbrëmë në Twitter, pasi Këshilli Evropian njoftoi se shumica e liderëve e kanë pranuar marrëveshjen, “se asgjë nuk është nënshkruar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore