Lajme

Dodik: Deri në fund të muajit do dërgojmë marrëveshjen për shkëputje të RS-së nga BeH


Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka njoftuar të enjten se deri në fund të muajit do t’u dërgojë një marrëveshje për shkëputje të RS-së nga BeH udhëheqësve të Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Ky njoftim i Dodik-ut vjen pak ditë pasi që shtetet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), kundërshtuan ashpër dhe paralajmëruan për pasoja të rënda për këtë veprim.

Por, përkundër kësaj, presidenti autoritar i RS-së nuk heq dorë nga ideja e tij.

“Ne do të jemi në organet e BeH, por do të marrim vendime vetëm në interesin tonë. E meqë atje nuk ka vendime në interesin tonë, vështirë se do të marrim vendime”, tha Dodik, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

Ai theksoi se kolegët e tij nga Sarajeva mendojnë se janë të fuqishëm “sepse janë të preferuarit e Amerikës”.

“Por ata nuk e dinë se ekuilibri i fuqive ka ndryshuar në botë”, pretendoi Dodik.

Ndryshe, më 24 maj, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë ka thënë se propozimi i Qeverisë së Republikës Srpska për t’u ndarë nga BeH është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Srpska”.

Këto komente, ambasada e ShBA-ve në Sarajevë i kishte bërë pasi vetëm një ditë pasi që Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnje e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.

Por, për ambasadën amerikane, ky propozim është në shpërputhje me Marrëveshjen e Dejtonit (Marrëveshja qe i fund luftës në BeH, më 1995), dhe se “e vë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës”.

“Këto janë interesa thelbësore të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara do t’i mbrojnë dhe ruajnë ato, mes tjerash, duke i mbajtur përgjegjës ata të cilët i rrezikojnë ato”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.

Aty u akuzuan Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik, dhe Qeverina e RS-së, se u përpoqën ta arsyetojnë këtë vendim bazuar në “gënjeshtra dhe dezinformata, me qëllim për ta frikësuar popullin në Republikën Srpska, që t’i mbështesin ata në këtë rrugë të rrezikshme”.

“Faktet janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Nuk ka konspiracion ndërkombëtar për ta ndarë RS-në dhe Dodik nuk mund ta gjejë asnjë deklaratë ku një zyrtar amerikan bën thirrje për shuarjen e RS-së”, thuhet tutje në komunikatë.

Zëri i ShBA-ve në Sarajevë e bëri të qartë se, sipas Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe Kushtetutës së Bosnjës, Bosnja e Hercegovina (BeH) është trashëgimtare e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.

“Kushtetua e BeH nuk u jap të drejtë entiteteve apo njësive nënshtetërore për ndarje apo “shkëputje”. RS-ja mund të ekzistojnë vetëm brenda BeH.”

Veprimet e Dodik-ut, në vlerësimin e ambasadës amerikane, e rrezikojnë të ardhmen brenda institucioneve euroatlantike që populli i Bosnjës, përfshirë RS-së, e duan.

Pas ShBA-ve, Republikës Srpska i reagon edhe BE: S‘tolerojmë sjellje që rrezikojnë sovranitetin e BeH-së

Çka ndodhi?

Kryeministri i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Radovan Vishkoviç, kishte njoftuar me 23 maj, se në 30 ditët e ardhshme, qeveria që ai drejton, do të krijonte një marrëveshje që do t’i dërgohej entitetit tjetër të BeH-së, Federatës së Bosnje e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Srpska të enjten e 23 majit, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku pritej të votohej – dhe u miratua – rezoluta që dënon gjenocidin në Srebrenicë.

“Kjo nuk është shkëputje, ndarje paqësore nuk është shkëputje, e drejta e garantuar me Kushtetutë është ndarja paqësore. Ne do të ofrojmë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”, tha Vishkoviç, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Në këtë mbledhje të qeverisë prezent kishte qenë edhe Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore