Lajme

Djali i Telat Xhaferit – pa plotësuar kushtet – bëhet prokuror në Maqedoninë e Veriut


Djali i kryetarit të Kuvendit në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferit, Barleti, u emërua prokuror në Prokurorinë e Gostivarit.

Alsat M, bën të ditur se për emërimin e tij në këtë institucion të drejtësisë pati reagime të shumta.

Në prill të vitit të kaluar, Komisioni Kundër Korrupsionit kishte marrë një njoftim se Barlet Xhaferi ka arritur të regjistrohet në Akademi, pa i plotësuar kushtet për të, përkatësisht pa dhënë provimin e jurisprudencës. Kjo shkaktoi një stuhi reagimesh në opinion, megjithatë Akademisë së Gjykatësve e më pas edhe anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve kjo gjë nuk u pengoi.

“Në fund të fundit si çdo fëmijë tjetër edhe djali im gëzon të drejtat si gjithë tjerët në këtë shtet”, kishte deklaruar Talat Xhaferi.

Barlet Xhaferi nuk është i emëruari i vetëm në sistem të drejtësisë, si familjarë i politikanëve në Maqedoninë e Veriut, duke anashkaluar procedurat e rregullta të aplikimit.

Të martën, detyrën si prokurore, zyrtarisht e mori edhe bashkëshortja e shefit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi.

Vendi i punës i Albulena Abazit do të jetë prokuroria e Kërçovës.

“Këtu ne nuk mundemi të bëjmë asgjë”, kishte deklaruar Antonio Jolevski, Kryetar i Këshillit të Prokurorëve në Maqedoni të Veriut.

“Nuk është kompetencë e jona. Institucionet të cilat duhet të kujdesen, nëse konsiderojnë se diçka nuk është në rregull, është ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Drejtësisë ku ka kaluar provimin e jurisprudencës”.

“Për asnjërin prej tyre deri tani nuk ka procedurë, dhe sa e di edhe Komisioni kundër Korrupsionit e ka mbyllë këtë lëndë. Aq sa kam informacione unë, megjithatë nëse ato kanë vërtetuar diçka, është dashur ta dorëzojnë te ne që ta dimë, ta kishim parasysh”, përfundon Jolevski.

Këshilli i Prokurorëve Publik një ditë më parë, zgjodhi 18 prokurorë publik në 12 prokurori të Maqedonisë së Veriut.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore