Lajme

Djali i axhës së Prindon Sadriut thotë se “e kam Vuçiç-in n’dorë, ta sjelli në Prishtinë” – Kujtim Sadriu: Kam bërë shaka


Një ditë pasi doli një audio-incizim nga Periskopi mes Kujtim Sadriut, drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë dhe aktores së larguar nga puna Egzona Salihut, duke i thënë kësaj të fundit se “e ka shtetin serb në dorë dhe ta bi (Aleksandër) Vuçiçin këtu”, Sadriu në një bisedë për Albanain Post e ka pranuar se ka thënë kështu, por është “arsyetuar” duke pohuar se ka bërë shaka.

Por, Sadriu, djali i axhës së burrit të presidentes së Kosovës, Prindon Sadriut, nuk ka dhënë më shumë detaje për bisedën e publikuar, derisa ka theksuar se para se të vendos të flas më gjerësisht për këtë çështje, do konsultohet fillimisht me avokatin e tij.

“Nuk kam lidhje me Vuçiçin. Aty çka kam folur kam bërë humor edhe nuk është publikuar i gjithë incizimi. Por, nuk jam i interesuar të jap deklaratë pa u konsultuar me një avokat”, tha shkurtimisht Sadriu për AP.

Gjatë vitit 2001, Sadriu kishte punuar si zyrtar policor në Preshevë dhe ishte anëtar i Partisë Liberal Demokratike Serbe, e cila udhëhiqet nga Çedomir Jovanoviç.

Në fotografi shihen Kujtim Sadriu dhe Prindon Sadriu

Në anën tjetër, aktorja shqiptare, Egzona Salihu, e cila kishte pranuar të punësohet formalisht si ndriçuese në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, e të marrë rrogë të ndriçueses, vetëm që t’i mundësohet aktrimi atje, meqë Serbia nuk ia njihte diplomën e Universitetit të Prishtinës, tha për AP se biseda mes saj e Sadriut është e vërtetë, por nuk është publikuar nga ajo.

No description available.
Kujtim Sadriu gjatë punës si polic i Serbisë.

“Ajo bisedë është e vërtetë, por nuk është publikuar nga unë. Kur është bërë kjo bisedë kanë qenë 6-7 veta prezentë. Kemi qenë duke diskutuar për festivalin e komedisë shqiptare që mbahet çdo ditë vit në Preshevë, e të cilin nuk e ka përkrahur kurrë Qeveria e Serbisë”, theksoi ajo.

“Për këtë festival kemi qenë duke biseduar, ka thënë ta bi Vuçiçin këtu e në Prishtinë, e kam shtetin në dorë”, ka shpjeguar ajo.

Megjithatë, Salihu që ishte e vetmja grua në Teatrin e Preshevës e cila largua nga puna nga Sadriu, ka shpesë ende që do rikthehet në vendin e punës, pasi ka bërë padi në gjykatë.

“Kam punuar në teatër pesë vjet e gjysmë, tash kam bërë padi, po pres ta fitojë gjyqin”, shprehet e bindur ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore