Shqipëria

Ditë zie në Kosovë, Rama: Përulje me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nderuar të hënën e 25 shtatorit përmes një statusi efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Mirëmëngjes me përuljen me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës”, shkruan kreu i Qeverisë në median sociale “Facebook”.

Dita e hënë do të jetë ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit.

Ishte një sulm terrorist.

Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë serbë.

“Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësitet profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht, me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme”, tha paraditen e së dielës Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla, përmes një kumtese në rrjete sociale.

Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së tre policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, grupin e personave që kreu sulm të armatosur në Veri, ku mbeti tragjikisht i vrarë një oficer policie e cilësoi “formacion profesionist” të mbështetur e finacuar nga Serbia.

Ai tha se shteti do të ngadhënjejë gjithmonë kundër bandave dhe dhunuesve të rendit e ligjit.

“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot. Nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi”, tha kryeministri kosovar.

Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare.

Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, tre të tjerë u plagosën dhe gjashtë u arrestuan, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore