Shqipëria

Dita e Verës, festa autoktone shqiptare


Dita e Verës, një festë e cilësuar si pagane dhe e trashëguar brez pas brezi, identifikohet kryesisht me qytetin e Elbasanit.

Gjatë shekujve Dita e Verës erdhi duke u zbehur. Aq sa diku u harrua krejtësisht e nuk festohej më.

Por në Elbasan nuk u zbeh kurrë. Nëse ajo mbërriti deri në ditët e sotme, merita i takon kryesisht qytetit të Shqipërisë së Mesme.

Sot, ajo është zyrtarisht një festë kombëtare. Por në të vërtetë, disa vende thjesht e festojnë, kurse në disa të tjerë është diçka më shumë.

Ky zakon aq sa i vjetër dhe i bukur, kremtohet dhe në qytete të tjera si: Tirana, Lezha apo Dibra. Në varësi të vendit, edhe përgatitjet e kësaj dite ndryshojnë.

Emëruesi i përbashkët për të gjithë është përgatitja e ballokumeve, ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Të rrallë janë ata që e mbyllin ditën pa e provuar apo uruar me një të tillë.

Duke qenë se ky muaj i përket stinës së pranverës është zgjedhur 14 marsi. Por në të vërtet ky emër dhe datë lidhet me kalendarin diellor ilir/shqiptar (dhe të disa popujve të tjerë).

Ai ka vetëm dy stinë, verën dhe dimrin. Këto stinë nisin me barasnetët (ekuinokset) në mars e shtator dhe arrijnë mesin me solsticet në qershor e dhjetor, atëherë kur festohet përkatësisht mesvera dhe mesdimri.

Sakaq, festa pagane ka ritualin e saj.

Ritet janë trashëguar brez pas brezi mbase për 24 shekuj me radhë. Ditët e sotme ato praktikohen për një jetë më të mirë, të mbushur me gëzim, dashuri dhe begati.

Faza e parë është faza përgatitore qe nis me grumbullimin e zaireve që janë të nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dytë është nata e Verës që nis me 13 mars me zjarrin, faza e tretë mëngjesi i Ditës së Verës që nis me 14 mars dhe së fundi pikniku i Ditës së Verës në mesditën e 14 marsit.

Verorja, simboli i festës së verës

Veroret janë dy fije, njëra me ngjyrë të bardhë, tjetra me të kuqe, të dyja të spërdredhura me njëra-tjetrën.

Sipas zakoneve shqiptare, ato duhet të mbahen të paktën 3 ditë dhe pastaj mund të hiqen. Por, është e rëndësishme që t’i vendosni në një degë trëndafili.

Kjo sepse, sipas gojëdhënave,  kur dallëndyshet të vijnë, t’i marrin dhe të krijojnë fole me to. Mund t’i mbani dhe më shumë, por duhet t’i hiqni vetëm kur të shihni ndonjë dallëndyshe. Sepse kjo shënjon ardhjen e pranverës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore