Lajme

Dita e tretë e përpjekjes për zhbllokimin e Kanalit Suezit


Misioni për të zhbllokuar kanalin e Suezit ka hyrë në ditën e tretë. Përpjekjet për të zhvendosur 220 mijë ton rifilluan të enjten e 25 marsit pas një pauze të shkurtër gjatë natës.

Një anije kontejnerësh, me destinacion Roterdamin, është përplasur në Kanalin e Suezit, duke bllokuar anijet e tjera që udhëtonin nëpër një nga rrugët ujore më të ngarkuara në botë.

Peter Berdowski, CEO i kompanisë specialiste të pastrimit Boskalis e cila ka dërguar një ekuipazh në vendngjarje, tha për televizionin holandez “Nieuwsuur”, se të dhënat e deritanishme tregojnë që nuk mund të tërhiqet anija, por duhet të shkarkohet, proces që mund të zgjasë me javë.

Anija 200 mijë tonësh u përplas të martën, rreth orës 7:40 të mëngjesit, gjatë itinerarit nga Deti i Kuq për në Mesdhe.

Sipas deklaratës së kompanisë së transportit GAC, përplasja ndodhi pas ndërprerjes në rrjetin e operimit.

Anija Ever Given, e gjatë 400 metra dhe e gjerë 59 metra, mund të mbajë deri në 20 mijë kontejnerë transporti.

Ever Given, e ndërtuar në 2018, është ndër anijet më të mëdha të mallrave në botë. Mund të bartë 20 mijë kontejnerë në të njëjtën kohë.

Imazhet e postuara në mediat sociale tregonin anijen, me një ngarkesë të plotë, që kishte bllokuar të gjithë korsinë e kanalit.

15 anije të tjera, të cilat prisnin të kalonin pas saj, u ankoruan në pritje të pastrimit të Kanalit, shkruhej më tej në njoftim.

Kanali i Suezit

Kanali i Suezit ka më shumë se 150 vite që është ndërtuar. Ai është një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë. Rreth 10% e të gjitha udhëtimeve tregtare detare kalojnë përmes saj.

Sipas Autoritetit të Kanalit të Suezit (SCA), gjatë vitit 2020, pothuajse 19 mijë anije, ose një mesatare prej 51.5 anije në ditë, me një tonazh neto prej 1.17 miliardë tonë, kaluan nëpër kanal.

Kanali, vitet e fundit, ka qenë një ndihmë për ekonominë në vështirësi të Egjiptit. Ky i fundit fitoi 5.61 miliardë dollarë të ardhura vetëm vitin e kaluar.

Në shkurt, presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, urdhëroi kabinetin e tij për të miratuar një “politikë fleksibël të marketingut” për kanalin, në mënyrë që të përballojë rënien ekonomike të shkaktuar nga COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore