Lajme

Dita e kërkimit të madh për formulën e zgjidhjes


Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

Një takim “tete-a-tete” nuk parashihet të ndodhë të enjten, ndonëse mundësia nuk përjashtohet, megjithatë kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të kenë shumë punë me udhëheqësit e shteteve kryesore të Bashkimit Evropian (BE), meqënëse të dy liderëve ballkanikë tashmë iu ka arritur fatura politike për refuzimet dhe mosofrimin e alternativave për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbutjen e tensioneve.

Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin e liderëve evropianë për mbështetjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në margjinat e samitit të krerëve të 27 vendeve anëtare të BE-së, të enjten në kryeqendrën evropiane në Belgjikë, ku pritet t’i gjejnë të gatshme oraret implementuese të marrëveshjeve të arritura deri tani në kuadër të dialogut nën kujdesin e BE-së dhe ndëshkimet për palën penguese.

Dy udhëheqësit ballkanikë që assesi të nxjerrin shtetet e tyre nga situata parakonfliktuale dhe qytetarët nga hija kërcënuese e përshkallëzimit të dhunës, pritet të takojnë veç e veç kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni dhe sigruisht, Josep Borrellin, shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, në një cikël takimesh biletarale pas “stuhisë diplomatike” të fundjavës.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermanisë, Italisë dhe Francës, kanë shoqëruar Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takime të ndara në Kosovë dhe Serbi, në një kohë kur tensionet janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç nuk kanë folur shumë për rezultatet e këtyre takimeve, por sipas informacioneve që kanë rrjedhur nga BE-ja, top-diplomatët evropianë nën kujdesin e SHBA-ve kanë prezantuar një plan-propozim të ri për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) pa vonesa dhe pa parakushte të tjera.

Qeveria e Kosovës ka dhënë pëlqimin e saj për planin perëndimor dhe ka pranuar që i njëjti të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme me “pesëshen e madhe” ku përfshihet edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. BE-ja ka konfirmuar se kanë bërë një “propozim modern evropian” për këtë instrument vetëmenaxhues për serbët e Kosovës dhe tash presin “veprime të shpejta” nga palët.

Nga ana tjetër, një ditë para vizitës në Bruksel, presidenti serb ka thënë se takimet që pritet t’i ketë në margjinat e samitit të Këshillit Evropian (KE) nuk do të jenë të lehta, porse Serbia është e gatshme të bisedojë për “planin e ri” për zbatimin e marrëveshjeve të arrituara në kuadër të dialogut, derisa ka shtuar se pozicioni i Serbisë është bërë edhe më i vështirë, posçërisht pas inkursionit në veriun e territorit kosovar ndaj Policisë së Kosovës.

Liderët e BE-së do t’i kërkojnë Kosovës dhe Serbisë t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që burojnë nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve “pa vonesa dhe pa parakushte”, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë – kërkesë që BE-ja dhe SHBA-të e përkushruajnë një “detyrë urgjente” dhe një ndër “hapat ekzistencialë” për aspiratat euro-atlantike të Kosovës, përndryshe rrezikon pasoja.

KE-ja do të shpreh “shqetësimin e thellë” për situatën e sigurisë në Veri të Kosovës, ndërsa liderët evropianë do të bëjnë ftesë që kryesit e sulmit terrorist në Banjë të nxirren para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm për zbardhjen e këtij akti që ka cënuar seriozisht paqen në rajon. Gjithçka për të ardhmen e procesit të dialogut pritet të qartësohet të enjten dhe të premten.

Përkundër se është ende herët të priten “rezultate spektakolare”, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të hyjë në fazën përmbyllëse. Duke qenë se për rezultate është herët të flitet, ekizton bindja e diplomatëve evropianë se me armiqësi të reja nuk do të arrihen mësymjet politike, posaçërisht integrimet euro-atlantike të Kosovës e Serbisë. Megjithatë, gjatë nëntorit do të ketë një cikël intensiv të takimeve, sikurse Forumi i Paqes në Paris.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “shkakun e vetëm” dhe “formulën e zgjidhjes” vazhdon, negociatat diplomatike nuk do të lejohen të kthehen më shumë në arsye për papajtueshmëri sesa për të zgjidhur problemet, kurse qëllimi kryesor i diplomacisë mbetet shmangia e fitoreve dhe disfatave përfundimtare në një mjedis të ndërmjetëm të kompromisit të negociuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore