Lajme

“Dita e 50-të nën sanksione”, Selmanaj: Kosova s’e meriton këtë qeveri më logjikë autoritare


Driton Selmanaj

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ua ka kujtuar qytetarëve se këtë të enjte janë bërë plot 50 ditë prejse Bashkimi Evropian ka vendosur “masa ndëshkuese” ndaj Qeverisë së Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtit.

Qeveria e Kosovës aktualisht po përballet me “shkopinj të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të zyrtarëve institucionalë dhe degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, ndërsa deputeti i LDK-së ka ngritur paralele mes shteteve socialiste njëpartiake marksist-leniniste.

“Nuk po flasim për Korenë e Veriut, Rusinë, Bjellorusinë, Venezuelën apo Kubën, fatkeqësisht po flasim për shtetin tonë, për Kosovën tonë, për projektin e mbështetur fuqishëm nga aleanca euro-atlantike”, ka shkruar Selmanaj në llogarinë e tij, ndërsa ka shtuar se populli i Kosovës, sipas tij, s’e meriton këtë qeverisje.

“Regjimet dhe logjikat autoritare duhet të mbesin relikte të së kaluarës. Kosova nuk e meriton këtë qeveri dhe qeverisje. Populli i Kosovës nuk e meriton këtë ndëshkim”, ka deklaruar ai në 50-ditëshin aplikimit të “sanksioneve politiko-ekonomike” nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare.

Autoritetet kosovare janë në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e “masave ndëshkuese”, pas ujdisë së arritur në Bratisllavë të Sllovakisë dhe tërheqjes së 50 për qind të forcave speciale policore nё dhe rreth ndërtesave komunale në katër komunat veriore, por nga BE-ja kanë thënë se janë në pritje të hapave të mëtejshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore