Shqipëria

Disa qeveri në BE janë pengje të narrativave nacional-populiste, ndaj nuk hapen negociatat për Shqipërinë – thotë Rama për Welt


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për median gjermane Welt, ka folur mbi procesin e integrimit evropian për Tiranën, ku ka theksuar se për shkak të narrativave nacional-populiste të krijuara nga disa vende anëtare gjatë kohës së zgjedhjeve të përgjithshme në këto vende, hapja e negociatave me Shqipërinë ka ngrirë.

I pyetur nga gazeta gjermane mbi faktin se ku qëndron problemi, kryeministri përkufizon se “nuk mjafton ta duash Bashkimin Evropian dhe të bësh detyrat, për të marrë pëlqimin e unionit për martësë”.

“Nuk ka të bëjë me ne, por me ta”, thotë Rama për Welt. “Komisioni Evropian ka katër vjet që ka dhënë dritën jeshile, por dikush në Këshillin e BE-së vazhdon të thotë jo dhe procesi ngrin sërish”.

Sa i përket perceptimit të korrupsionit në një raport të publikuar së fundmi nga organizata e pavarur Transparency International, ku Shqipëria renditej e 110-a nga 180 vende, Rama parashtron se nuk i beson kësaj transparence.

“Ne kemi bërë kaq shumë përparim. Vetëm një shembull: Shqipëria ka digjiitalizuar tashmë 95% të shërbimeve të saj”, thotë kryeministri.

“Kur u futa në politikë, asnjë shërbim nuk menaxhohej në mënyrë dixhitale. Njerëzit duhej të qëndronin në radhë për orë të tëra për të marrë një dokument. Gjithçka ishte e korruptuar. Si ka mundësi që kjo ecuri të mos përmirësojë renditjen tonë? Le të mos harrojmë edhe reformën tonë në drejtësi”.

Mbi një mundësi të mundshme të mos-pranimit nga ana e BE-së për “t’u martuar” me Tiranën, Rama e kthen me batutë, duke thënë se nëse çështje bëhet e tillë, atëherë Shqipëria do të kthehet “në murgeshën e Evropës, pa u martuar kurrë”.

Ndikimit rus në Ballkan, kryeministri i trembet, siç e përshkruan gazeta. Megjithatë, ai pohon se influenca nuk është e pranishme në Shqipëri, sa është në Serbi, Bosnjë apo Mal të Zi.

Teksa, për raportet me kancelarin e ri gjerman, Olaf Scholz, ai përmend se sheh shumë ngjashmëri mes këtij të fundit dhe paraardhëses, Angela Merkel.

“Është interesante se sa ngjajnë Angela me Olaf Scholz. U ulëm në të njëjtën zyrë dhe më dukej sikur isha me të, i njëjti qëndrim, mënyra se si dëgjon, me shumë respekt, shumë efektive, bisedë fjalëpakë por me shumë substancë, një buzëqeshje e matur”, përshkruan ai.

Ndërsa, për ndikim që lufta në Ukrainë ka pasur në Shqipëri, kreu i Qeverisë shqiptare e pranon se ka pasur probleme me çmimet, por ndërkohë po punohet me importues të vendeve partnere për të siguruar furnizim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore