Lajme

Disa politikanë evropianë akuzohen për komplot me rojet bregdetare libiane


Politikanë evropianë të profilit të lartë janë subjekte të një ankese në Gjykatën Ndërkombëtare Penale me pretendimin se kanë komplotuar me rojet bregdetare të Libisë për të shtyrë ilegalisht refugjatët që përpiqen të kalojnë Detin Mesdhe në Evropë.

Ndër ta është ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini, ministrat aktualë dhe ish-ministrat e Brendshëm të Italisë dhe kryeministri aktual dhe ish-kryeministrat e Maltës.

Ankesa penale, e cila u dorëzua në Hagë nga OJQ-ja gjermane Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut (ECCHR), i akuzon ata për kryerjen e disa “krimeve kundër njerëzimit në formën e privimit të rëndë të lirisë fizike”.

Bëhet fjalë për vitet 2018 dhe 2021, ku janë përgjuar sistematikisht varkat dhe refugjatët janë kthyer në Libi në paraburgim.

Zmbrapsjet filluan në shkurt 2017, kur qeveria italiane arriti një marrëveshje me Libinë, duke ofruar financimin, pajisjen dhe trajnimin e rojës së saj bregdetare për të kapur refugjatët.

Një ditë më vonë, marrëveshja u miratua nga Këshilli Evropian.

Marco Minniti, i cili ishte ministër i brendshëm italian në kohën e marrëveshjes, është ndër individët e përmendur në ankesë si bashkëpunëtor pas skemës së shtyrjes.

Kurse individë të tjerë të përmendur si bashkëpunëtorë përfshijnë Matteo Salvini-n, lideri i ekstremit të djathtë që shërbeu si ministër i Brendshëm në vitet 2018-2019 dhe shefi i tij i atëhershëm i shtabit dhe Matteo Piantedosi, i cili tani është ministër i Brendshëm.

Sakaq, marrëveshja rezultoi e suksesshme në reduktimin e migracionit.

Masa u rinovua për dy vjet të tjera në vitin 2020 dhe përsëri këtë muaj për një vit. Dhe i ka kushtuar Italisë 13 milionë euro në vit.

Ndërkohë, grupi gjerman ka paraqitur prova që dokumentojnë 12 incidente ku u kapën varkat e refugjatëve në Mesdhe, duke përfshirë fotografi ajrore dhe telefonata të përgjuara që tregojnë për një marrëveshje të fshehtë midis autoriteteve evropiane dhe rojeve bregdetare libiane.

Gjithashtu në listë është kryeministri aktual i Maltës Robert Abela, paraardhësi i tij Joseph Muscat, ish-përfaqësuesja e lartë e unionit për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë Federica Mogherini dhe ish-drejtoresha ekzekutive e Frontex.

Nëse Haga do të pranojë ankesën, politikanët dhe zyrtarët e listuar mund të bëhen të dyshuar në një gjyq penal dhe të thirren për t’u paraqitur përpara organit kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore