Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi në fokus të takimit të parë Bislimi-Hargreavas


Besnik Bislimi dhe Jonathan Hargreavas

Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreavas, takoi të enjten zëvendëskryeministrin kosovar, Besnik Bislimi, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet e fundit në vend e edhe për procesin e dialogut për normalizimin Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), njoftoi Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një komunikate për shtyp.

“Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin mbi zhvillimet e fundit në vend e po ashtu edhe procesin e dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin për bisedën e frytshme e produktive dhe përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet në një njoftim e ZKM-së.

“Palët trajtuan përgjatë takimit zhvillimin ekonomik e mundësitë për investim në vend, ku zëvendëskryeministri foli dhe mbi politikat e objektivat e qeverisë, si dhe bashkërisht u theksua gatishmëria për të forcuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme e me interes të përbashkët”, u tha në njoftim, duke veçuar edhe diasporën kosovar në Mbretërinë e Bashkuar.

Në bazë të njoftimit të ZKM-së, ambasadori Hargreavas nënvizoi se është kënaqësi dhe privilegj të shërbejë në këtë pozitë dhe të kontribuojë në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Mbretësisë së Bashkuar, ndërsa zëvendëskryeministri Bislimi i uroi mirëseardhje në Kosovë, duke e përgëzuar për detyrën e re dhe duke i ofruar bashkëpunim të ngushtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore