Sport

Dhimbje koke për Sylvinhon, UEFA lejon vetëm 23 lojtarë në Euro 2024


UEFA ka bërë të ditur se për fazat finale të Kampionatit Evropian, Euro 2024, ekipet pjesëmarrese do të mund të përzgjedhin vetëm 23 lojtarë, nga të cilët tre duhet të jenë portierë.

Lista e plotë me 23 lojtarët e përzgjedhur duhet të dorëzohet në UEFA deri në shtatë ditë para ndeshjes së parë të ekipit në Evropian.

Por, nga ajo listë mund të ketë edhe ndryshime pasi të jetë dorëzuar, por vetëm në dy raste. Kur ka dëmtim të rëndë ose një sëmundje. Dhe kur një nga dy rastet, ose të dyja njëkohësisht, pengojnë lojtarin të marrë pjesë në Evropian, atëherë do të duhet miratimi i stafit mjeksor të ekipit dhe një mjeku të UEFA-s për të bërë ndryshime në list.

Megjithatë, ndryshimet në listë mund të kryhen gjithashtu në vetëm dy raste. Një lojtar mund të ndryshohet, duke marrë një tjetër nga një listë rezervë, por vetëm para ndeshjes së parë të ekipit në Euro 2024.

Në ndryshim, kur dëmtimi ose sëmundja prek një poriter, atëherë zëvendësimi i tij me një tjetër portier mund të kryhet edhe pasi ekipi e ka zhvilluar ndeshjen e parë në turne.

Por, ajo që pritet të bëjë më shumë me dhimbje koke trajnerin Sylvinho dhe stafin e tij është përzgjedhja finale e 23 lojtarëve për të qenë pjesë e Shqipëeisë në Euro 2024.

Në portë tre emra duken të sigurtë: Etrit Berisha, Thomas Strakosha dhe Elhan Kastrati.

Emrat e sigurt, pothuajse, në mbrojtje janë: Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Mario Mitaj, Arlind Ajeti dhe Ivan Balliu.

Në mesfushë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Nedim Bajrami, Qazim Laçi, Keidi Bare dhe Klaus Gjasula.

Në sulm: Jasir Asani, Taulant Seferi, Sokol Cikalleshi dhe Mirlind Daku.

Duke marrë parasysh përdorimin e lojtarëve të sipërpërmendur nga Sylvinho në kualifikuese, rezulton se 19 emrat janë pothuajse të sigurtë që do të kenë një ftesë nga braziliani. Dhe, kështu mbeten katër vende vakante, por shumë emra.

Armando Broja dhe Marash Kumbulla janë dy super yjet e Shqipërisë të cilet për shkak dëmtimi nuk morën pjesë në kualifikuese. Megjithatë, nëse ata do të jenë gati deri në verën e ardhshme pritet gjerësisht që emrat e tyre të gjenden në listën përfundimtare.

Emra të tjerë të cilët mund të jenë në Euro 2024 dhe gjithashtu ishin të përfshirë gjatë fushatës kualifikuese janë Arbnor Muja, Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Frederic Veseli, Anis Mehmeti, Jon Mersinaj, Odise Roshi, Enea Mihaj apo dhe Arbnor Muçolli.

Por, nuk mund të lihen mënjanë edhe talenet e rinj si Marvin Çuni, Stiven Shpendi, Adrian Bajrami, Nelson Weiper, Arijon Ibrahimovic, Medon Berisha, apo dhe Adrion Pajaziti.

Dhe këta janë vetëm një pjesë e emrave të mundshëm, por duke qenë se Evropiani do të zhvillohet verën e ardhshme deri atëherë të tjerë emra, të papërmendur më sipër, mund të bëhen pjesë e listave të kuqezinjëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore