Lajme

Derisa fajësoi Kosovën, O’Brien lavdëron Serbinë: “Serbia ka bërë dy hapa të rëndësishëm të njohjes de facto të Kosovës”


James O’Brien dhe Aleksander Vucic

Me tone kritike, i ashpër dhe me gjuhë të drejtpërdrejtë e jo diplomatike, ka qenë Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, kur është pyetur për Qeverinë e Kosovës, por në anën tjetër ai e ka lavdëruar Qeverinë e Serbisë, duke thënë se “ka bërë dy hapa të rëndësishëm të njohjes de facto të Kosovës”.

Sipas O’Brien, qeveria serbe ka punuar drejt njohjes de facto dhe drejt normalizimit.

Ai ka përmendur targat dhe vulat doganore si shenja që Serbia është brenda kuadrit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit me 27 shkurt dhe Ohrit me 18 mars.

“Dua të theksoj se qysh nga tetori, Serbia ka bërë dy hapa të rëndësishëm të normalizimit apo të njohjes de facto të Kosovës, përmes zbatimit të targave të makinave dhe dokumenteve doganore”, tha O’Brien në intervistën e tij për Zërin e Amerikës.

“Këto”, sipas tij, “janë synime që janë kërkuar për një kohë të gjatë dhe u realizuan”.

Ai, në anën tjetër, kritikoi Qeverinë e Kosovës që në vend se të veprojë brenda dialogut “po vepron jashtë tij”.

I sfiduar nga Zëri i Amerikës që Serbia jo vetëm që nuk zbaton marrëveshjen, por edhe zyrtarisht sipas një letre që kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç ka dërguar në Bashkimin Evropian, hedh poshtë përmbajtjen e tyre, O’Brien prapë mbrojti Serbinë.

“Mendoj se varianti i parë i letrës, që hodhi poshtë (marrëveshjen), është tërhequr. Ato që unë shikoj, janë veprimet, njohja de facto. Normalizimi në këto dy komponentë kyçë u bë në muajt e fundit dhe ka diskutime për gjëra tjera që mund të bëhen, nëse punojmë ashtu siç punojnë shtetet moderne evropiane”, deklaroi ai.

Diplomati amerikan u pyet edhe për rolin e Qeverisë së Serbisë në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit – prapë nuk u tregua kritik me Serbinë, madje e lavdëroi.

“Dua të theksoj se Serbia zëvendësoi shefin e shërbimit të zbulimit, i cili ishte i përfshirë në të”, pohoi O’Brien.

“Ata kanë arrestuar dhe janë pajtuar se do t’i ndjekin penalisht njerëzit që janë drejtpërdrejt përgjegjës për incidentin në Banjë dhe trupat serbe janë tërhequr nga pjesa afër kufirit. Të gjithë këto hapa janë bërë dhe pastaj, pas Banjës u ndërmorën hapa drejt njohjes de facto me doganën dhe targat”, pohoi O’Brien.

Ai vazhdoi prapë duke përsëritur se Serbia ka bërë “hapa të rëndësishëm që erdhën si rezultat i përgjigjes dhe përkushtimit ndaj dialogut”.

“Pra, ne duam përkushtim për të punuar drejt zgjidhjes praktike të këtyre problemeve, jo ndërmarrjes së masave të njëanshme për përfitime vetjake që shqetësojnë partnerët tuaj po aq sa shqetësojnë qytetarët tuaj”, përfundoi intervistën e tij Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore