Lajme

“Dërgesat e diasporës tejkalojnë vlerën e 1 miliard eurove”, thotë BQK-ja


Ilustrim.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlera e dërgesave të mërgatës në Kosovë, deri në muajin dhjetor të 2023-ës, e kalojnë shumën prej një miliardë.

Lajmin e ka bërë të ditur BQK-ja përmes një komunikate për media.

“Dërgesat nga mërgata arritën vlerën e 1 miliard e 344.50 milionë euro, rritje prej vjetore 10.00%. Vlera e remitancave, sipas vlerësimeve, për muajin dhjetor 2023 ishte 129.10 milionë euro”.

“Prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga IFJB-të me pjesëmarrje prej 49.90%, kanalet tjera me 36.70% dhe bankat me 13.30%”, thuhet në komunikatë.

Sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja ka thënë se ka pasur rritje.

“Asetet e kompanive të sigurimit arritën vlerën e 304.10 milionë eurove, rritje prej rreth 3.50 milionë euro krahasuar me muajin paraprak”.

Ngjashëm edhe me ato të fondeve pensionale dhe të ndërmjetësve të tjerë financiar.

“Asetet e fondeve pensionale në fund të këtij muaji ishin 2.71 miliardë euro, rritje për 62.90 milionë euro”.

“Asetet e ndërmjetësve tjerë financiar për këtë periudhë janë rritur për 14.20 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 513.50 milionë eurove”.

Më 2 shtator, ishte publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës bilanci i pagesave për muajin qershor, sipas të cilit vlera e remitancave deri në qershor të këtij viti ka arritur në 635.1 milionë euro.

Sipas BQK-së, ky bilanc u karakterizua nga një deficit i llogarisë rrjedhëse i cili shënoi një vlerë prej 502.7 milionë euro e që “krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar është më i ulët për 19 për qind (623.7 milionë euro ishte deficiti deri në qershor 2022)”.

Asetet rezervë deri në qershor 2023 ishin rritur për 78.6 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak rritja ishte për 171.8 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore