Sport

Derbi i radhës me Dinamon, Shehi: Sot jam para një ndeshje tjetër, është histori tjetër


Tirana do të ndeshet përsëri me Dinamon, por kësaj here në Abissnet Superiore. Vetëm dy ditë më parë bardheblutë u ndeshën me “Nëndetësen” në Kupën e Shqipërisë. Ndeshjen e fitoi Dinamo në shifrat 2-0.

Ndeshja e të shtunës do të jetë për llogari të javës së tetë në Superiore. Tirana kryeson kampionatin me 17 pikë. Dinamo gjendet në vendin e pestë me nëntë pikë.

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur në prag të kësaj sfide.

“Koha për të përgatitur ndeshjen tjetër është shumë e pakët, vetëm dy ditë. Jemi munduar të rikuperojmë energjitë. Kemi bërë analizë për të përmirësuar gjërat, është rutinë, e bëjmë në çdo ndeshje, edhe kur fitojmë. Kemi parë ku kemi gabuar dhe besoj se do të reflektojmë nesër”, tha Shehi fillimisht.

Si Kupa? Sot jam para një ndeshje tjetër, është histori tjetër. Kampionati me Kupën ndryshojnë. Kupa ka dy takime dhe ka pak rotacion, jemi të përqendruar te kampionati dhe duhet të vazhdojmë me ritmin e Vllaznisë dhe atë para asaj ndeshje.

Në kampionatin tonë nuk ka favoritë, por skuadra që bëjnë maksimumin. Ai që bën maksimumin, në 90% të rasteve merr atë që jep.

Ngo e Toli? Patjetër që janë mungesa të rëndësishme, janë dy lojtarë që janë bazë të formacionit tonë. Por i tillë është kampionati. Kemi pasur edhe herë të tjera mungesa dhe skuadra u shfaq mirë, shpresojmë të kemi këtë vazhdimësi, të mos varemi nga individët por nga grupi.

Batuta e Shkëmbit? Se çfarë thonë trajnerët kundërshtare është e drejtë e tyre. Ne futemi në fushë në mendimin për të përmirësuar atë që bëjmë, ndoshta edhe për arsye impenjimi apo lodhje, se të luash çdo tre ditë është e vështirë, këtë periudhë e kemi patur të ngjeshur. Do të reflektojmë atë që bëjmë, e rëndësishme është të rikuperojmë gabimet.

Ngo është i rëndësishëm, është pikë jonë e referimit. Na mungoi edhe me Teutën, shpresoj që lojtarët e tjerë në fushë të kompensojnë mungesën e tij se e thashë që është pikë e rëndësishme. Por i qëndroj asaj që thashë, që ne nuk duhet të varemi nga individi por nga kolektiviteti.

A më kënaq barazimi? Do më kënaqte impenjimi, qëndresa e skuadrës në detyra, sidomos në ndeshjet e Kupës dhe të tjera. Çfarë thotë fusha është rezultati, por e rëndësishme është të dalim nga fusha me mendimin që kemi dhënë çdo gjë.

Ekipi nervoz? I kuq ka qenë vetëm një direkt, të tjerët ishin me dy të verdhë. Janë situata që disa kartonë mund t’i anashkalonim, se janë marrë edhe për arsye festimi e të ndryshme. Mbetet të përmirësohet, duhet të jemi më të kujdesshëm dhe besoj se do të ndryshojë pak. Por kjo vjen edhe nga agresiviteti i ekipit se skuadra ka qenë shumë agresive e duhet përgëzuar për këtë, por duhet gjithmonë me masë.

Përballjet me Shkëmbin? Ne i kemi hyrë rrugës së trajnimit edhe pse pas shumë vitesh të luajtura, kur hyn në rrugë tjetër, duhet të përballesh me shokë e miq. Është normale, disa janë bërë drejtorë e trajnerë, nuk është viti i parë, është i treti dhe këto përballje duken normale, nuk është se të emocionojnë shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore