Lajme

Deputetja Duda Balje ndalohet nga autoritetet serbe në Merdare


Duda Balje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak është ndaluar në pikën kufitare “Merdare”,nga autoritetet e Serbisë.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Balje, e cila ka bërë të ditur se është ndaluar për rreth një orë

“Unë jam me familjen, me burrin dhe fëmijët jemi në rrugë për Austri, por jo veç me kanë ndalë dhe për një orë mi kanë ndal letrat. Burri ka pyetur a ka ndonjë gjë, dhe i kanë thënë jo kontrolle rutinore”, ka thënë Balje për “Ekonomia Online”.

Ajo ka theksuar se pas ndalesës, autoritetet serbe ua kanë dhënë pasaportat dhe së bashku me familjen e saj ka vazhduar në destinacion e saj.

“Si kemi kaluar në Merdare, kemi prit një orë e gjysmë dhe kemi vazhduar. Burri ka pyetur se çka ka ndodhur, ata thanë vetëm kontrollë e rregullt asgjë tjetër. Kemi marrë pasaportat dhe kemi vazhduar rrugën. Asnjë problem tjetër vetëm se kemi qenë në një vend një orë një orë e gjysmë”, potencoi deputetja Balje.

Ndalimi i deputetes së Kosovës nga autoritetet serbe, vjen pak ditë pasi që të njëjtit ndaluan dhe kontrolluan autobusët dhe udhëtarët kosovarë në kufijtë e tyre, përfshirë zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Të gjithë të ndaluarit iu nënshtruan kontrollit të rreptë të autoriteteve serbe, madje u kontrolluan nëse të njëjtit kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kjo erdhi vetëm një ditë pasi që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi në shumicë dërrmuese pro raportit të raportues për Kosovën në këtë organizatë, Dora Bakoyannis, i cili sugjeron se Prishtina i ka përmbushur kriteret për anëtarësimin në KiE.

Këto veprime të shtetit serb bënë që të reagoi edhe bashkësia ndërkombëtare, të cilët i kërkuan Serbisë që menjëherë t’i lirojë qytetarët e ndaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore