Lajme

Deputetit maqedonas i pengon gjuha shqipe


Aleksander Nikoloski

Nënkryetari i partisë opozitare ‘VMRO-DPMNE’ në Maqedoninë e Veriut, Aleksandër Nikoloski, në listën e gjatë të kritikave ndaj partisë në pushtet, ka zgjedhur edhe gjuhën shqipe si një ndër “të këqijat” e qeverisjes së Bashkimit Socialdemokrat të Maqedonisë (LSDM).

Ai ka thënë se futja e dygjuhësisë dhe nivelizimi i gjuhës maqedonase me atë shqipe, përbën njërën nga të këqijat që pushteti ia ka shkaktuar popullit maqedonas.

“Të gjitha të këqijat në këtë vend ndodhin kur LSDM-ja është në pushtet”, vlerësoi ai.

Ai bëri të ditur se grupi parlamentar i kësaj partie me asnjë kusht nuk do të pranojë ndryshimet kushtetuese, me bullgarët pjesë të saj.

Nikoloski, që është edhe deputet, theksoi se për një gjë të tillë kanë marr edhe vërtetim nga noteri.

“Garant për këtë është grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, ku të gjithë deputetët, kanë nënshkruar deklarata të vërtetuara nga noteri se nuk do të votojnë për amendamentet kushtetuese”, tha ai, transmeton mediumi maqedonas ‘Vecer’.

Madje, ai sfidoi partinë në pushtet, duke e inkurajuar atë që të sjellë amendamentet kushtetuese në Kuvend.

“Nëse i kanë numrat, do të votojnë dhe historia merr fund. I thamë ose dërgojini në Kuvend të shohim se a i keni 80 vota ose të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse nuk keni legjitimitet”, tha ai.

I zgjedhuri i popullit maqedonas, tha se themelet e shtetit të Maqedonisë po sulmohen nga “ata që nuk duan të ekzistojë shteti maqedonas.

Tutje, për Marrëveshjen e nënshkruar mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, tha se kjo është përpjeke për “bullagarizimin e Maqedonisë”.

I vetmi ilaç sipas tij, është që “LSDM-ja të mos vije më kurrë në pushtet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore