Lajme

Deputeti i Vetëvendosjes mendon se kriptovalutat janë si bastore


Dimal Basha, deputet i VV-se

“Kriptovaluta është një lloj bastore”, ka thënë Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, derisa ka folur për vendimin e fundit të Qeverisë që do të angazhohet për të ndaluar prodhimin e parasë digjitale, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

Basha ka thënë se ky vendim që si fillim erdhi nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është i drejtë dhe qytetarëve s’u mbetet tjetër pos “t’i shtrëngojmë rripat”.

“Por këto janë masa të arsyeshme në bazë të rrethanave dhe ne duhet t’ia besojmë ministres Rizvanolli detyrën që e ka marrë. Ajo është duke e kryer këtë punë me përgjegjësi të lartë dhe ne si qytetarë të Kosovës duhet ‘t’i shtrëngojmë rrypat’ dhe duhet të ballafaqohemi me krizën që jemi”, ka thënë Basha në Klan Kosova.

Ndërsa, për të sqaruar komentin e tij dhe krahasimin e kriptovalutave me bastore, ai ka deklaruar se ngjashmëria është tek modeli se si tentohet të fitohet.

“Ti i fut paratë por nuk ka garancion për fitore, e aq më tepër kur e dimë se kriptovalutat nuk janë të rregulluara në shumicën e vendeve të botës, prandaj nuk është fer ta konsiderojmë si pjesë të ekonomisë së Kosovës”.

Basha tha se vetë nuk e ka çuar ndërmend të investojë në para digjitale, prandaj as nuk ia propozon dikujt ta bëjë.

 

Çfarë janë kriptovalutat?

Bitcoin

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain”.

“Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra.

Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.

Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit.

Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Prodhimi i kriptovalutave konsumon shume energji elektrike sepse përfshin kompjuterë që bëjnë kalkulime për t’i verifikuar transaksionet.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore