Lajme

Deputetët që vendosën për të tjerët, për veten s’duan të flasin: “Me kë bëj seks unë është punë e imja”, “çka ju duhet juve?”


Deputetet e Kosoves

Deputetë e Kuvendit të Kosovës të mërkurën kanë vendosur të mos e votojnë Projektkodin e ri Civil, që parasheh edhe nenet përmes të cilave do të mund të hapej mundësia e martesave të gjinisë/seksit të njëjtë.

Disa nga deputetët kanë argumentuar se nuk duhet të lejohet martesa e dy të dashuruarve me gjini/seks të njëjtë, e disa të tjerë madje kanë moralizuar rreth temës.

Ata përtej se nuk duan të votojnë pro këtij projektkodi të ri, kanë mbajtur leksione edhe se si nuk duhet të lejohen marrëdhëniet intime sepse “është e pamoralshme” dhe e “shkatërron shoqërinë”.

Kanë vendosur për të tjerët, por për vete nuk duan të flasin.

Albanian Post ka pyetur – ata që janë përgjigjur – se si është e rregulluar jeta e tyre personale, me kë janë të martuar dhe me kë çojnë dashuri ata?

Deputetët janë irrituar keq nga pyetja, e kanë konsideruar si përzierje në jetën e tyre personale.

Madje, janë befasuar se si është e mundur që dikush dëshiron të dijë për këtë punë e të përfshihet në këto çështje, sepse bëhet fjalë për jetën e tyre personale.

Paçka se ata janë përzier të mërkurën gjithë ditën dhe publikisht kanë diskutuar për ndjenjat dhe orientimet e një grupi të madh njerëzish që dashurojnë ndryshe prej tyre.

Madje, siç e shpjegoi vetë kryeministri Albin Kurti, është një numër prej 10% të popullsisë që kanë orientim homoseksual.

Për këtë 10% Gramos Agusholli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka hezituar të vendosë, por kur është pyetur nga Albanian Post, për të njëjtën çështje, por në raport me të, i është dukur pyetja krejt e pavend.

“Total e pa përgjegjshme është kjo qasje”, ka thënë ai, “me kë jam i martuar unë dhe me kë bëj seks unë”.

“Total e pa përgjegjshme kjo pyetje”.

“Ti nuk je ajo që i bën këto pyetje, kjo është e turpshme nga ti”, pohoj deputeti që një ditë më parë fliste hapur kundër preferencave seksuale të një grupi të tërë në Kosovë.

“Kjo është e turpshme, më trego si e ke emrin se do ta çoje këtë çështje në Këshillin e Pavarur të Mediave, direkt”, tha i nervozuar Agusholli.

Edhe deputeti Burim Karameta, e ka parë krejtësisht të paarsyeshme të pyetet për jetën e tij bashkëshortore e orientimin e tij seksual.

“Çka dëshiron të arrish me këtë pyetje?”, ka lëshuar dozat e dyshimit në formë të pyetjes ai.

“Po pse duhet tash të inkorporohet familja ime këtu, çka të duhet ty bashkëshortja ime?”, vazhdonin pyetjet çuditëse të Karametës.

Për më tepër, duke mos e sqaruar as vetë mirë se çfarë po mendon, ka thënë se të pyetet për seksualitetin e tij “është jo humane”.

“Burimi është përkrahës i heteroseksualitetit. Mos hi më fellë, sepse nuk është humane dhe (është) jo profesionale”

Kurse deputeti Valon Ramadani, pasi e ka dëgjuar pyetjen ka refuzuar të përgjigjet, duke u arsyetuar se nuk po e dëgjon pyetjen – e përsëritur disa herë – bash mirë.

“Nuk po të dëgjoj bash mirë, më shkruaj SMS. Më shkruaj në mesazh se nuk po dëgjoj mirë”.

Ndërsa deputetja Fjolla Ujkani, edhe kjo në mesin e 29 deputetëve që votuan kundër, në vend të përgjigjes ka qeshur.

“Urdhëro?”, tha Ujkani, derisa qeshi pak dhe më pas e mbylli telefonin.

Projektkodi Civil dështoi të miratohej të mërkurën, pasi në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë, por 16 prej tyre nuk morën pjesë fare në votim.

Nga 61 deputetët, të cilët votuan, vetëm 28 prej tyre votuan pro, kurse kundër 29. Katër deputetë abstenuan.

Si është aktualisht e rregulluar kjo çështje?

Me Kushtetutën e Kosovës, parashikohet që “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Por, ka një deformim më pas në Kodin Civil aktual, pasi që aty konkretizohet martesa si një e drejtë që i takon vetëm një dysheje heteroseksuale.

“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore