Lajme

Deputetët e nisin seancën me një minutë heshtje në 23-vjetorin e vdekjes së Xhemail Mustafës


Kuvendi i Kosovës.

Seanca e Kuvendit të Kosovës, të enjten ka nisur me një minutë heshtje për njërin nga ish-themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhemail Mustafa, në 23 vjetorin e vdekjes së tij.

Kërkesa për mbajtjen e një minutë heshtje është bërë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Sot është edhe 23 vjetori i vrasjes kriminale, i intelektualit, patriotit të shquar Xhemail Mustafa, propozoj ta mbajmë një minutë heshtje në nderim të veprës së tij”, ka thënë Konjufca.

Teksa, në seancë akoma nuk janë mbledhur 61 deputetë për të filluar seancën.

Më 19 shkurt të 2021-ës, Albanian Post kishte publikuar dokumente zyrtare të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, për disa vrasje të pasluftës në Kosovë dhe tentim-vrasje, që e përfshijnë një ish-deputet të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës.

Dosja e UNMIK-ut për ish-deputetin me inicialet S.R (emër i njohur për redaksinë) që kishte siguruar Albanian Post flet për vrasjen e Xhemail Mustafës (23 nëntor, 2000), ish-anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që ishte edhe zëdhënës i partisë dhe këshilltar i lartë për media i presidentit të atëhershëm Ibrahim Rugova, atë të Ekrem Rexhës (8 maj, 2000), ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe atentatin ndaj Fetah Rudit (15 dhjetor, 2000), ish-deputet i LDK-së.

Dosja për S.R., është përpiluar nën dyshimin për “frikësim dhe dyshim i bazuar për organizim të vrasjeve”.

Xhemail Mustafa, është vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 në Prishtinë, teksa po hynte në banesën e tij në lagjen “Dardania”, ai ishte qëlluar me armë zjarri nga dy persona.

Hetimet për vrasjen e tij në fillim i kishte udhëhequr Policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore