Shqipëria

“Dënim për trafik droge, jo për shpërdorim detyre”, SPAK rekurs në Gjykatën e Lartë për Tahirin


Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë për ish-ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri.

Bëhet me dije se SPAK, të enjten e 14 prillit ka kërkuar dënimin për trafik droge, duke kundërshtuar atë për shpërdorim detyre.

Kjo masë përfshin edhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën.

Apeli i Posaçëm i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), të premten e 4 shkurtit të këtij viti, dënoi ish-ministrin e Brendshëm, me tre vite e katër muaj burgim, për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”.

Fillimisht, Tahiri u dënua me pesë vite burgim, por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, do të vuajë tre vite e katër muaj burg.

Prokuroria e Posaçme SPAK kishte kërkuar 12 vjet burg për Tahirin.

Kjo çështje u zvarrit prej pesë vjetësh në radhët e shumë gjykatave.

Çështja “Tahiri”

Çështja “Tahiri” u regjistrua në GJKKO më 26 nëntor 2021. Më parë ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë.

Kjo e fundit zbardhi vendimin për çështjen e ish-ministrit, ku u argumentua se ka pasur shkelje proceduriale gjatë gjykimit të tij dhe ish-drejtorit Jaeld Çela.

Gjykata vendosi prishjen e vendimit të datës 26 qershor 2020 të Apelit të GJKKO-së dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trup gjykues.

Apeli i Posaçëm, në vendimin e saj, asokohe tha se janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mosrespektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori.

Gjithashtu u vendos rrëzimi i kërkesës së të gjykuarit Jaeld Çela për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

Sipas trupës gjykuese, gjyqtarja Albana Boksi ishte në konflikt interesi, pasi ka shqyrtuar çështjen e Taulant Haxhiraj në një procedim të lidhur, duke nënkuptuar kështu se trupa gjykuese kishte në përbërje gjyqtarë që nuk mund të merrnin pjesë në gjykim.

Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Ish-ministri u dënua me tri vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Cela me tre vite e katër muaj burg.

Në nëntor të vitit 2017, Prokuroria e akuzoi Çelën se, në bashkëpunim me Tahirin, ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Çela u vetëdorëzua në polici në maj të vitit 2020 – pas dy viteve në arrati. Ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.

Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me tre vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.

Ndonëse i shpëtoi qelisë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dërgonte për tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike.

Ky vendim i Prokurorisë u apelua nga Tahiri, i cili e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore