Shqipëria

Dendias: Po punojmë për abrogimin e Ligjit të Luftës


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, ka pritur në një takim homologun e saj grek, Nikos Dendias.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Xhaçka ka theksuar se Qeveria shqiptare e konsideron Greqinë “një fqinj të çmuar” dhe “partner të rëndësishëm”.

Nga ana tjetër, ministri grek ka shprehur vullnetin për shfuqizimin e Ligjit të Luftës.

Ai, po ashtu, ka falënderuar Shqipërinë për mënyrën e zgjidhjes së “çështjes së detit”.

“Mendoj se dërgimi në Hagë tregon një mesazh të rëndësishëm se kjo është mënyra e duhur për të zgjedhur çështjet. Do të depozitojmë sa më shpejt dokumentet përkatëse”, tha Dendias.

Nga ana tjetër, Xhaçka theksoi se shteti fqinj mbetet një zë mbështetës në integrimin evropian të Shqipërisë.

Ajo e ka falënderuar homologun grek për qëndrimin pranë në kohë të vështira.

“Ekziston vullneti i mirë për zgjidhje të pranueshme reciprokisht edhe për abrogimin e Ligjit të Luftës apo çështjen e pronave të komunitetit çam”, u shpreh Xhaçka.

Sa i përket kësaj çështjeje, ministri grek kërkoi që të mos krijohen “çështje që nuk janë ekzistuese se do na çojë në pasoja të dyfishta”.

“Ne konsiderojmë se minoriteti grek dhe ai shqiptar atje janë urë lidhëse, prandaj ne referuam çështje që u përkasin këtyre dy grupeve”, u shpreh ai.

Çështja e detit

Kjo çështje e radhës detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, filloi më 20 janar 2021, kur Parlamenti i Greqisë miratoi projektligjin për zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje në Detin Jon.

Këtë hap, Greqia e ndërmori në bazë të Konventës mbi të Drejtën e Detit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo solli debate dhe diskutime të shumta, për shkak se zgjerimi prek ujërat territorialë të zonave ekskluzive ekonomike të Shqipërisë sipas ekspertëve.

Çështja mori një tjetër rrjedhë, kur në të u përfshi edhe një palë e tretë, si Turqia, pasi Greqia zgjerohej edhe në Egje me 12 milje.

Mbi një dekadë më parë, në vitin 2009, një marrëveshje e qeverisë Berisha me atë greke ishte arritur për kufijtë detarë.

Mirëpo, kjo marrëveshje u pa në shkelje të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.

Me pretendimin e ri të Greqisë për zgjerim, lindi edhe nevoja e re për bisedime midis palëve. Kjo, pasi ato ishin pezulluar për vite me radhë.

Gjendja e tanishme vjen si insistim i qeverisë shqiptare se “çështja duhet vlerësuar nga një palë e tretë”.

Ndaj, pavarësisht se sot ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi si palët do të paraqiten në Gjykatën e Hague-s, mundësia mbetet se ai do të rakordohet midis vendeve dhe nuk do të mbetet i harruar.

“Ligji i luftës” mes Greqisë dhe Shqipërisë

Mbreti i Greqisë Konstandin nxori Dekretin Mbretëror nr. 2636 i vitit 1940, sipas të cilit shpallte “Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve si armike”.

Njëkohësisht, të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”. Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë.

Më pas, vjen ratifikimi i Traktatit të Miqësisë, Sigurisë dhe Fqinjësisë së Mirë, firmosur në mars të vitit 1996, e cila e zhbën marrëdhënien armiqësore mes dy vendeve.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, bëhet zyrtari i parë që deklaron publikisht se pikëpamja shqiptare ka një ligj lufte dhe se ai duhet shfuqizuar në të gjitha drejtimet dhe me plotfuqinë e dekretit që e sanksionoi, qëndron.

Në maj 1971, në Greqi kryhet grusht shteti, dhe vjen në fuqi ushtarake e kolonelëve grekë me në krye Papadhopulin. Dhe ishte pikërisht ky ushtarak, që kërkoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë.

Ligji i ndarë në 2 pjesë

Ky veprim i qeverisë greke, nga njëra anë, shfuqizonte plotësisht pjesën politike të dekretit. Pra, atë të heqjes së “ligjit të luftës”, ndërsa shtojcën që fliste për pasuritë e shqiptarëve në Greqi nuk e prekte fare. Dekreti u hoq i pjesshëm.

Kështu, në vitin 1999, qeveria greke njoftonte Ambasadën Shqiptare në Athinë përmes një note verbale se “ligjet për pronat në sekuestro konservative janë akoma në fuqi”.

Që nga kjo kohë e deri më sot, pala greke nisi përdorimin e Traktatit të Miqësisë së vitit 1996 si argument për të interpretuar se ky dokument duhet konsideruar si përfundimtar në drejtim të kësaj çështjeje.

Si u rihap çështja?

Çështja rihapet në nivel politik në tetor të vitit 2013, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Greqisë, Venizellos në Tiranë. Kërkesës së homologut Ditmir Bushati, Venizellos i dha këtë përgjigje:

“Situata paqësore mes dy vendeve është shpallur zyrtarisht nga Këshilli i Ministrave të Greqisë në vitin 1987”.

Ky qëndrim, i rikonfirmuar edhe në takimin me presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Në mars të vitit 2016, pas takimit me homologun Bushati, ministri Nikos Kotzias do të shprehej se “Greqia nuk është në luftë me Shqipërinë. Kjo duket nga Vendimi i vitit 1987 të Këshillit të Ministrave”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore