Sport

Dëmtimet para përballjes me Lazio-n, Allegri: Akoma nuk e di kush do të vijë në Romë


Juventus-i do të ketë një javë tepër intensive. Fillimisht përballet me Lazio-n, më pas me Chelsea-n dhe Atalanta-n. Të shtunën, bardhezinjtë udhëtojnë për në Romë, ku do të përballen me Lazio-n e Maurizio Sarri-t, ish-teknikut juventin.

Massimiliano Allegri, trajneri i Juventus-it foli në konferencën për shtyp para ndeshjes së të shtunës. Ai vlerësoi Sarri-n si një “trajner i shkëlqyer”.

Gjithashtu tekniku foli rreth gjendjes së disa lojtarëve, ku u shpreh se akoma nuk e dinte me siguri se cilët prej tyre ishin të gatshëm për këtë përballje.

“Sfidë e bukur, dy skuadra ndodhen në kufirin e vendit të katërt. Do të jetë një ndeshje e vështirë”, tha Allegri.

“Nga lojtarët kam parë vetëm evropianët sepse amerikano-jugorët kanë ardhur pak me vonesë, le të shohim sot kë do të kem në dispozicion”.

“Nuk e di as kush do të vijë në Romë, më pas kur t’i shoh do të vlerësoj se kush do të jetë në gjendje”, shtoi livornezi.

54-vjeçari tha se të gatshëm janë Moise Kean-i, Adrien Rabio-t dhe Arthur-i, por në dyshim është ylli i skuadrës, Paulo Dybala.

“Kean ka punuar mirë dhe është në dispozicion për nesër (të shtunën). Rabiot ka pasur ndeshje të mira në kombëtare dhe ka shënuar edhe gola. Jam shumë i lumtur me Arthur-in, sepse ai gjithmonë është në dispozicion”, theksoi Allegri.

“Dybala do të përpiqet të stërvitet, dje nuk bëri asgjë. Ai dëshiron të jetë atje”, vijoi 54-vjeçari, duke shtuar se edhe lojtari tjetër, Aaron Ramsey, duhet vlerësuar.

“Më duhet ta vlerësoj, se ai pati një dëmtim dje. Sot (të premten) do e vlerësojmë nëse do të jetë i disponueshëm”.

Juventus-i dhe Lazio do të përballen në “Olimpico”, duke filluar nga ora 18:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore