Shqipëria

Demokratët, pro zgjatjes së mandateve të vetting-ut


Partia Demokratike (PD) nuk do të bëhet pengesë për zgjatjen e mandateve të organeve të vetting-ut. Duke marrë në këmbim plotësimin e dy kushteve kryesore të saj, kryerjen e reformës territoriale dhe kryerjen e reformës zgjedhore.

Burime për Albanian Post (AP), bëjnë të ditur se, kreu zyrtar i PD-së, Lulzim Basha, të enjten e 10 shkurtit, ka mbledhur deputetët demokratë, ku kanë finalizuar dhe qëndrimin e tyre rreth kësaj çështje.

Gjithashtu, bëhet e ditur se, pas votimit për zgjatjen e mandatit për organet e vetingut, Parlamenti do të votojë për ngritjen e 2 komisioneve për zbatimin e menjëhershëm të kërkesave të PD.

Ndër të tjera, Basha ka folur dhe për reformën territoriale.

Grupi i punës së bashku me deputetët do të nisin një tur konsultimesh në të gjithë vendin, për një ndarje të drejtë administrative, për të  fuqizuar pushtetin vendor dhe  për të ofruar shërbime publike me cilësi të mirë.

Kurse, mbrëmjen e 9 shkurtit, Basha është takuar me delegatët ndërkombëtar në Shqipëri.

Seanca plenare e sotme e 10 shkurtit pritet të shënjojë dhe fatin e mandateve të organeve të vetting-ut.

Teksa nga palët e partive politike ka pasur qasje të ndryshme, faktori ndërkombëtar u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të votuar “pro” zgjatjes së mandateve të vetting-ut.

Fillimisht ishte delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri dhe ai i Ambasadës amerikane, që dy ditë më parë dolën në një deklaratë të përbashkët.

Ata theksonin se e mbështesin “fuqimisht” zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut.

Kërkesa për zgjatjen e mandateve të vetting-ut

Më datë 15 tetor 2021, PS depozitoi në Kuvend kërkesën për zgjatjen e mandateve të vetting-ut.

Mazhoranca kërkoi që afatet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shtyhen deri në 2024-ën.

Opozita e kundërshtoi, ndërsa ende nuk e ka zyrtarizuar qëndrimin që do të mbajë.

Megjithatë, fjala e fundit i takon Kuvendit të Shqipërisë: do të dëgjojnë thirrjen e faktorit ndërkombëtar, duke i votuar dhe miratuar ndryshimet me 84 vota pro, apo do t’u përmbahen qasjeve të tyre?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore