Lajme

Deklarimi i pasurisë: Liburn Aliu ka blerë dy banesa në “Marigona Hill”


Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, për të cilin Albanian Post, këto ditë raportoi keqpërdorimet milionëshe që ai i ka bërë në dikasterin që udhëheqë, ka pasuri një tokë, një veturë dhe dy banesa në lagjen luksoze “Marogona Hill”.

Këto i ka bërë të ditur vetë Aliu, në deklarimin e pasurisë për vitin 2024, në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Në pronësi të tij, Aliu ka deklaruar një arë me 762 metra katrorë, të cilën thotë e ka trashëguar në vitin 2004, ndërsa vlera e saj është 15 mijë euro.

Ekskluzive: Hajnia multi-milionëshe e Liburn Aliut dhe Naser Hafizit

Ministri ka deklaruar po ashtu se posedon një veturë të tipit “Volkswagen”, të cilën e ka ndërruar me veturën paraprake në vitin 2022. Vlera e saj është 4 mijë e 200 euro.

Aliu ka deklaruar se ka detyrime financiare ndaj “Marigona Hill” për shkak të dy banesave që i ka blerë në këtë lagje luksoze.

Në formularin për deklarimin e pasurisë, Aliu ka thënë se vlera fillestare e detyrimeve financiare ndaj “Marigona Hill” – për banesën e blerë në vitin 2019 – ka qenë 64 mijë euro, ndërsa vlera e mbetur 23 mijë euro. Kohëzgjatja e këtij detyrimi financiar është 54 muaj, dhe e ka dekalruar në emër të prindërve.

Për banesën tjetër në këtë lagje të blerë në vitin 2020, Aliu ka deklaruar detyrime financiare fillestare 103 mijë euro, vlerë të mbetur 58 mijë euro. Kjo kredi është e përbashkët.

Përveç këtyre, ministri Aliu ka deklaruar edhe një kredi tjetër, të cilin thotë se e ka marrë për mbyllje të kredisë, më 2023, me shumë prej 19 mijë e 500 eurosh.

Të ardhurat vjetore të Aliut nga paga si ministër janë 18 mijë e 218 euro e 79 cent, ndërsa mëditje nga udhëtimet jashtë vendit ka deklaruar 2 mijë e 715 euro e 43 cent.

Po ashtu, ai ka deklaruar se si profesor në kolegjin UBT, ka marrë 1 mijë e 836 euro.

Ekskluzive: Liburn Aliu e Naser Hafizi ia shlyen kompanisë “Fluidi” borxhin prej 3.5 milionëve për vetëm 13 mijë euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore