Kosova

Deklarata e Macron për Asociacionin, mesazh serioz i dërguar Albin Kurtit


Ilustrim: Albin Kurti, Emmanuel Macron dhe Aleksandër Vuçiç

Paralajmërimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është një mesazhi serioz i dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se ia duhet ta mbajë fjalën e dhënë për këtë çështje, vlerësojnë analistët politikë.

Marrë për bazë faktin se Bashkimi Evropian shumë shpejtë do të hyjë në një proces zgjedhor, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, konsideron se ky mesazh i Macron tregon që BE-ja dëshiron që çështja e Asociacionit të trajtohet me urgjencë, para këtij procesi.

“Ky është një paralajmërim mbi detyrat dhe obligimet që e presin Qeverinë së Kosovës në ditët dhe javët ne vijim në raport me themelimin e Asociacionit. E tëra kjo për shkak se nuk ka mbetur edhe shumë kohë para se shtetet e BE të shkojnë në zgjedhje për Parlamentin Evropian”, thotë ai për Albanian Post.

Kasolli kujton se gjatë vizitës së fundit zyrtare në Shqipëri, Macron kishte deklaruar se Franca është pajtuar me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke u bazuar në premtimin e Kosovës se do t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet me Serbinë.

“Albin Kurti që në takimin që ka pasur me liderët e shteteve kryesore të Unionit Evropian në margjina të Samitit të BE-së, në tetor të vitit të kaluar ishte zotuar se do të angazhohet për themelimin e Asociacionit”.

Në anën tjetër për ligjëruesin e Shkencave Politike, Dritëro Arifi, deklarata e Macron sa është specifike e eksplicite është edhe jashtëzakonisht serioze marrë për bazë faktin se nëse Kosova nuk procedon tutje me Asociacionin, ajo mund të përballet me ndëshkime shtesë nga BE-ja.

“Pala franceze po kërkon që Kosova specifikisht ta përfundojë pjesën e vetë të detyrave. Sepse kjo paralajmëron nëse nuk ka seriozitet në javët në vazhdim atëherë mund të ketë sanksione shtesë për Kosovën apo anashkalim i tërësishëm i Kosovës në integrimet euro-atlantike, mesazhi i presidentit francez është jashtëzakonisht serioz”, ka vlerësuar ai.

Në mesin e shumë urimeve për pavarësinë e Kosovës, të cilën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar për nder të 16 vjetorit, më e rëndësishmja për nga pesha politike – përveç asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ajo e presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

I drejtpërdrejtë në kërkesë, Macron në letrën e urimit dërguar më 13 shkurt presidentes Osmani ka apeluar që Qeveria e Kosovës të procesojë tutje me zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, meqë në vlerësimin e tij javët e ardhshme do të jenë vendimtare për “zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit”.

Marrë për bazë luftën në Ukrainë dhe kërcënimi i stabilitetit në Lindjen e Mesme, Macron, ka konsideruar se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë “përbën një çështje madhore”.

“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve”.

Ai në letrën ndër të tjera ka shpresuar që Kosova do të marrë vendime të guximshme, vendime këto, të cilat, sipas tij janë të “nevojshme dhe që do t’i lejojnë asaj të përparojë në trajektoren e saj evropiane”, thuhet në letre.

Javët e ardhshme janë vërtet vendimtare në përcaktimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës sidomos para samitit të marsit 2024, Bashkimi Evropian do ta zyrtarizojë kushtin e implementimit të Marrëveshjes Bazike si kusht thelbësor në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, krahas këtij vendimi, BE do ta vendosë zyrtarisht implementimin e Marrëveshjes Bazike si kusht kryesor për thithjen e fondeve nga fondi 6 miliardësh për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Pra, BE do të vendosë një derë me dy brava që i hap po i njëjti çelës.

Në takimin e gjashtë të radhës në mes të Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it, Kosova e Serbia, pranuan Marrëveshjen Bazë – derivat i propozimit franko-gjerman – e cila brenda kishte edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

Ujdia nga ndërkombëtarët u cilësua si më e mira e mundshme në rrethanat aktuale, meqë si Kosova ashtu edhe Serbia jepnin diçka për të fituar diçka tjetër dhe kështu startonin një maratonë të gjatë diplomatike për t’i normalizuar raportet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore