Lajme

DASH-i i cilëson “dënime të lehta” gjobat për “ministrat e korruptuar” të Kurtit


Albin Kurti dhe Rozeta Hajdari

Në raportin e fundit për Kosovën të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), një pjesë i referohet “korrupsionit serioz qeveritar” që vazhdon ta gërryej legjitimitetin institucional në vend, derisa gjobitja e zyrtarëve të lartë për korrupsion cilësohet “dënim i lehtë” nga administrata amerikane.

E në raportin e DASH-it për vitin 2023 përmendet veçanërisht Ministrja e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë (MINT) Rozeta Hajdari që Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtore për mosdeklarimin e pasurisë. Megjithatë, ministrja kaloi duke u gjobitur në vlerë prej 700 eurosh.

“Disa organizata jo-qeveritare (OJQ) dhe organizata ndërkombëtare pretenduan se janë të shumta dështimet e sistemit gjyqësor në ndjekjen penale të korrupsionit, duke vënë në dukje se shumë pak raste kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime. Dënimi i zyrtarëve të lartë të shpallur fajtorë për korrupsion shpesh ka qenë i butë”, nënvizoi DASH-i.

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës hapën hetime penale kundër të paktën pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave nën akuzat për vepra korruptive”, theksoi DASH-i në raportin e fundit, ndërsa përmendet edhe zëvendësminitrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) Liza Gashi që gjithashtu u shpall fajtore për mosdeklarimin e pasurisë në vitin 2023.

Ndryshe, ministrja Hajdari u intervistua javën e kaluar në cilësinë e të dyshuarës për keqpërdorimin e rezervës shtetërore. Autoritetet e Kosovës arrestuan tre persona vitin e kaluar për shkak se produktet për rezervën shtetërore nuk arritën në Kosovë. Megjithatë ata u liruan për t’u mbrojtur në liri. Në këtë afër korruptive dyshohet të jetë përfshirë vetë ministrja.

“Ligji parasheh dënime penale për korrupsionin e zyrtarëve të lartë, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Zyrtarët ndonjëherë përfshihen në praktika korruptive por kalojnë pa u ndëshkuar. E mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuan në këtë problem”, shkruhet mes tjerash në raportin e fundit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në nisje të mandatit tre vjet më parë, premtoi se lufta kundër korrupsionit do të jetë prioriteti kryesor i qeverisë. Megjithatë, në raportet e kaluara të DASH-it për vitin 2021, 2022 dhe 2023 është përmendur gjithashtu korrupsioni i skajshëm qeveritar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore