Sport

Daja: Sa më larg që shkojmë, aq më të vështira bëhen gjërat


Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, foli në konferencën për media para ndeshjes ndaj skuadrës turke, Sivaspor.

Daja tha që tani është koha më e vështirë e garës, derisa ekipi i tij do të mundohet ta kërkojë kualifikimin.

“Mendoj se sa më larg të shkojmë aq më të vështira bëhen gjërat. Do të mbështetemi te tifozët dhe mendoj se do të bëhet pak më e lehtë nga mbështetja e tyre. Stadiumi do të jetë plot, që do të thotë se përgjegjësia do të jetë më e madhe për ne”, tha Daja.

“Nuk ka ndeshje të lehtë, të katërta ekipet renditen me nga katër pikë. Jemi gati, por nesër duhet të bëjmë akoma më shumë se sa bëmë një javë përpara”.

Daja më tej konfirmoi se përsëri do të mungojë kapiteni Edvin Kuç, derisa i gëzohet faktit të rikthimit të Astrit Thaçit.

“Kapiteni Kuç nuk do të jetë i gatshëm, ka disa ditë që ka filluar vrapimet, por nuk ka bërë stërvitje me grupin. Por, ai do të jetë në pankinë, edhe pse nuk do të luajë me 99%. Rikthimi i Astrit Thaqit është një bonus për ne”, shtoi Daja.

“Duhet të vazhdojmë të jemi cinikë dhe të bëjmë atë që kemi bërë deri tani. Nuk mund të ndryshojmë shumë, pasi nuk është se i përgatitim shumë këto ndeshje, pasi kemi pak ditë në dispozicion. Nëse do kishim më shumë kohë në dispozicion, mund të kishim edhe 2-3 strategji të tjera.

Daja më pas tha se ndeshja e nesërme pritet të jetë më e vështirë sesa ajo në Turqi, por tha se ekipi i tij do të përpiqet ta jap më të mirën.

“Ndeshjet vështirësohen, por po fitojmë eksperiencë edhe ne. Do jetë më e vështirë se ajo në Turqi, pasi edhe ata kërkojnë revanshin ndaj nesh. Të tre ekipet kanë më shumë eksperiencë se ne, por nuk druhemi, thjesht bëhemi më të fortë me kalimin e ndeshjeve”, theksoi Daja.

“Duhet të luajmë akoma më fort në fushën tonë. Nëse nuk luajmë në grup, kualitetet e Sivasspor-it mund të na ndihmojnë në çdo moment”.

Daja më pas theksoi se pritshmëritë ndaj ekipit të tij janë rritur, derisa përsëri shtoi se janë përmirësuar shumë në aspektin e lojës.

“Pritshmëria ndaj nesh është rritur duke llogaritur ndeshjet që kemi bërë. Por e ritheksoj, ne kemi bërë mirë edhe në aspektin e lojës: sidomos me Sivasspor-in dhe Cluj-in. Duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, por të qëndrojmë me këmbë në tokë”.

“Elementi kryesor është që Ballkani ka djem me personalitet dhe futbollistë me karakter. Kemi frymë grupi, të gjithë luftojnë në të dy fazat e lojës. Këto gjëra kanë ndikuar që Ballkani të jetë i barabartë në lojë dhe golavarazh edhe me ekipe që kanë më shumë buxhet dhe eksperiencë se sa ne”.

Trajneri nga Shqipëria foli më pas edhe për takimin që skuadra e tij pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, ku shtoi se kjo e fundit premtoi edhe për infrastrukturën në futboll.

“Sukses me produkt shqiptar? Mos më ngatërroni me Kombëtaren, pasi ne si trajnerë duhet ta mbrojmë institucionin e trajnerit. Duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, të vazhdojmë me paraqitje siç kemi bërë deri tani”.

“Niveli i kampionatit të Kosovës është ngritur, sot ishim miq të presidencës së Republikës. Presidentja na foli edhe për ndërtimin e stadiumeve”.

“Si njerëz të sportit kemi kërkuar që të zhvillohet infrastruktura dhe akademitë e klubeve. Të jenë primare edhe për shtetin, pasi më shumë fusha do të thotë më shumë talente dhe rritje e nivelit të kampionatit. Kështu mund të shtohet numri i lojtarëve që do të jenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës”, deklaroi Ilir Daja.

Kujtojmë që ndeshja mes Ballkanit dhe Sivaspor-it do të zhvillohet këtë të enjte me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, i cili do të jetë i mbushur, pasi tashmë janë shitur të gjitha biletat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore